4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Reshjet e shiut ulin cilësinë dhe sasisë e grurit

Kosova këtë vit është përballur me mot me shi të rrëmbyeshëm ku nuk kanë munguar as vërshimet. Për pasojë, janë dëmtuar kulturat bujqësore në shumë komuna të vendit. Kjo ka ndikuar edhe në procesin e korrje shirjeve, përkatësisht në kulturën e grurit.

Isuf Cikaqi, Drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore dhe Tregjeve në MBPZHR për Indeksonline ka thënë se reshjet e ditëve të fundit kanë ndikuar në cilësinë e grurit dhe sasinë më të ulët të tij.

“Normalisht që reshjet e shiut kur bien në suaza të normales janë të dobishme për çdo kulturë bujqësore, por është shumë normale kur ato bien në suaza më të mëdha mund të shkaktojnë edhe dëme të konsiderueshme në kulturat e ndryshme bujqësore, varësisht në cilën. Por, tani po flasim për reshjet e shiut që këto ditë kanë qenë të vazhdueshme dhe për kulturën e grurit që është në procesin e realizimit së korrje-shirjeve dhe mund të themi se deri më tani këto reshje kanë ndikuar në cilësinë e grurit, sidomos sipas informacioneve që kemi nga terreni, ka shkaktuar uljen e peshës hektolitrave e cila ndikon drejtpërdrejtë në cilësinë e grurit”, ka thënë Cakiqi.

Cakiqi ka thënë se në fillim cilësia dhe rendimenti ka qenë mjaftë mirë dhe e nivelit të lartë. Por, sipas tij, reshjet e shiut kanë ndikuar në uljen e cilësisë dhe sasisë së grurit në pjesën që ka mbetur pa u korrur.

“Po flasim për këtë kohë, sepse kur ka filluar të korret gruri, edhe cilësia edhe sasia ka qenë në nivel mjaft të lartë. Por, për fat të keq ka pasur shumë reshje dhe kjo sasi e grurit e cila ka mbetur pa u korrur dhe e cila do të korret këto ditë, normalisht me këto reshje do të këtë një ulje, në një përqindje do të këtë ulje të cilësisë së grurit”, ka shtuar ai tutje.

Cakiqi tutje ka shtuar se sipas informacioneve nga terreni, deri më tani janë korrur mbi 60 për qind e sipërfaqeve me grurë, ndërsa diku 40% ka mbetur për tu përfunduar. Por, problem për këtë del të jetë kushtet klimatike të cilat po pamundësojnë realizimin e korrje shirjeve.

“Zakonisht, procesi i korrje shirjeve të drithërave të bardha në Republikën e Kosovës realizohet nga ditët e fundit të muajit qershor deri në fund të muajit korrik, përafërsisht, tri javë ose një muaj. Në ditët e fundit të muajit qershor, ka nis me komunën e Prizrenit, Suharekës, e pastaj në mënyrë graduale është shtrirë në tërë territorin. Por, menjëherë pas fillimit të procesit të realizimit të korrje-shirjeve kanë filluar reshjet e shiut, pastaj kanë ndikuar në mbarëvajtjen e këtij procesit, dhe ka nisë pak ditë me vonesë. Sepse kur kemi reshje të shiut, është i pamundur realizimi i korrje shirjeve përmes procesit të autokombajnave. Deri me tani nga informacionet e terrenit, kanë arritur të korren mbi 60 për qind, kanë mbetur diku edhe 40 për qind janë ende pa u korrur”, është shprehur për Indeksonline, Cakiqi.

Mirëpo, ai shpreson se këto ditë të përfundoj kjo fushatë.

“Por, shpresojmë që këto ditë do të këtë mot më të mirë dhe të realizohet kjo pjesë e korrjes e cila mund të realizohet mjaftë shpejt, të paktën duke u bazuar në numrin e madh të autokombajnave që janë në dispozicion gjithsej 1400 dhe sipërfaqja prej 40% . Kjo korret mjaftë shpejt, nëse na lejojnë kushtet klimatike”, ka shtuar në fund Cakiqi.

MBPZHR me datë 18.06.2018 ka organizuar dhe mbajtur takimin e përbashkët me përfaqësuesit e Drejtorive Komunale për Bujqësi, Shoqatën e Prodhuesve të grurit si dhe Shoqatën e Mullisëve, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për çmimin e korrje shirjeve për këtë vit dhe si propozim në këtë takim ka dalë që çmimi i korrje shirjeve të jetë 100 euro/ha.

Njësoj sikur në vitet e kaluara, Ministria e Bujqësisë për të shtuar interesimin e fermerëve për mbjelljen e sipërfaqeve i ka subvencionuar ata. Shuma e përgjithshme e subvencioneve për këtë vit është 25 milionë euro, kurse vetëm për kulturën e grurit shuma është 9.5 milionë euro.

Sigurisht, subvencione kanë përfituar fermerët të cilët kanë aplikuar dhe kanë plotësuar kriteret e parapara

. Ndryshe, Ministri i BPZHR-së, Nenad Rikallo para Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural ka bërë të ditur se vlera e dëmeve të shkaktuar nga reshjet e fundit të shiut dhe breshrit në Kosovë arrin shumën 1 milionë e 200 mijë euro, bazuar në vlerësimet e para.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img