Adem Demaçi ndërroi jetë dje në moshën 82 vjeçare.
Tri ditë, flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës do të ulet në gjysmështizë në të gjitha institucionet shtetërore brenda dhe jashtë vendit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në nderim të figurës së veprimtarit të njohur politik, Adem Demaçi, i cili të enjten ka ndërruar jetë në moshën 82 vjeçare, të shpallë tri ditë zie në Kosovë.
Ky është shkrimi i plotë që Bajram Kosumi ka shkruar për Demaçin:
Në nderim të njeriut te epokës, Adem Demaçit
(Foto: Adem Demaci dhe Bajram Kosumi në një aktivitet të përbashkët, 1997)
Filozofia politike e kombëtare e Adem Demaçit
Dr. Bajram Kosumi
1. Me kalimin e kohës, një ditë kur vitet dhe koha jonë shikohen nga perspektiva historike, njerëzit e mëdhenj mbahen mend për një çështje. Ata mund të jenë të mëdhenj në shumë aspekte, por mbahen mend për një prej tyre. Këta individë jetojnë në kujtesën njerëzore për shekuj, duke u identifikuar me një çështje. Shumë tema të tjera, shumë veprime të tjera, të mëdha e të vogla, zbehen, harrohen, si uji në rërë, e mbetet vetëm një. Zakonisht kjo, ta quajmë Çështja Një, është kontributi i vërtetë, esencial, jo ai i projektuari në kokën e individit, as ai i krijuar përmes marketingut, por ai i vërteti që ka prekur interesin e shoqërisë. Kjo Çështja Një është esenca filozofike e individit, parimi themelor drejtues i tij në jetë.
Cila është kjo Çështja Një e Adem Demaçit?
2. Ky diskutim nuk mund të jetë tjetër pos një diskutim eseistiko-filozofik për atë se çka i ka sjellë Adem Demaçi Kosovës, shqiptarëve dhe shoqërisë njerëzore. Ndoshta mënyra më e mirë për të kuptuar këtë është metoda empatike, pra diskutimi nga prizmi historik, edhe pse ne nuk jemi në atë pozitë, ne jemi sot dhe këtu, njerëz realë, jemi e tashmja. Kjo empati historike na shtyn drejt përdallimit e tëharrjes së gjërave demaçiane, mendimeve dhe veprimeve, të cilat mund të jenë të rëndësishme për një kohë apo për një fushë, apo për një grup njerëzish, por nuk janë Çështja Një. Duke bërë këtë mohim për gjërat që nuk janë Çështja Një do të vijmë në fund të tekstit duke pohuar Çështjen Një. Përveç qëllimit për çfarë po shkruhet ky artikull, strategjia e mohimit për të ardhur te pohimi na shërben edhe për të rikujtuar filozofinë politike të Adem Demaçit, të shprehur në romanin filozofik Libër për Vet Mohimin (1994).
3. Demaçi dhe fillimi i lirisë së Kosovës
Adem Demaçi nuk e ka nisur luftën për çlirimin e Kosovës, edhe pse ai është njëri prej katër emrave kryesor të saj. Atë e kanë nisur më herët, edhe formalisht, Hasan Prishtina, Kadri Prishtina e shokët e tyre. Demaçi e ka vazhduar këtë rrugë, është inspiruar prej tyre. I ka konsideruar mësues. Mund të jetë, në këtë proces të ambientimit, prijatar i formave të reja të organizimit, por, në përgjithësi ai është në këtë pikë një vazhdues i traditës, i programit e i formave organizative.
4. Demaçi dhe përfundimi i lirisë së Kosovës
Demaçi nuk e ka përfunduar procesin e çlirimit të Kosovës, edhe pse liria e Kosovës është meritë e madhe e tij. Këtë e bëri një Adem tjetër: Adem Jashari. Por, është ky Adem Jashari i rritur me frymën e Adem Demaçit. Më 5, 6 e 7 mars 1997, në Prekaz, ai u flijua vetë i pesëdhjetegjashti, me gjithë anëtarët e familjes. Me luftën e tij mbinjerëzore, ai vulosi fitoren e Kosovës.
5. Demaçi nuk ka qenë as majtist as djathtist
Demaçi nuk ka qenë tërësisht majtist e as tërësisht djathtist, ka qenë edhe dashamir i marksizmit e i enverizmit, por edhe kundërshtar i marksizmit e i enverizmit. Në gjithë katrahurën ideologjike të shekullit XX ai nuk ka ndjekur vijën e ideologjisë partiake, nuk është bërë rob i saj, por ka ndjekur një vijë tjetër: interesin e lirisë. Në programin e shkruar me dorën e tij ideja shqiptare e mbizotëron ideologjinë partiake dhe çdo ideologji tjetër. Çlirimi shqiptar është kusht ekzistencial për rrymat dhe politikat ideologjike, të majta e të djathta. Kushdo që e ka ngritur problemin e së majtës dhe së djathtës para çlirimit të Kosovës ka ndikuar negativisht në procesin e çlirimit. Ai nuk ka jetuar për ideologjitë politike e partiake, por është shërbyer me këto ideologji si me vegla të punës, si me fusnota, apo si me një paratekst, për vizionin e tij të lirisë.
6. Demaçi ka qenë i partive por i asnjërës parti
Demaçi ka qenë i të gjitha grupeve ilegale të Lëvizjes çlirimtare, ka qenë nga pak i të gjitha partive politike pas vitit 1990 dhe ka qenë i UCK pas vitit 1997. Fillimisht ai themeloi Lëvizjen Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve (1963). U identifikua me Partinë Parlamentare të Kosovës në vitin 1995 dhe u bë kryetar i saj, por ç’është e vërteta, ai e bëri këtë për të realizuar një program të përbashkët nacional, e mundësitë më të mira i ofronte për këtë Partia Parlamentare. Ndryshe, sapo doli prej burgut, ai e përkrahu Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Rugovën në krye të saj. Ai ka përkrahur dhe ka nxitur idetë e çlirimit me luftë, atëherë kur u vdirr çdo shpresë e rezistencës paqësore. Ai e ka nxitur dhe e ka mbrojtur në çdo takim diplomatik e politik Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe të drejtën e shqiptarëve për të luftuar për liri, edhe atëherë kur disa liderë tanë dhe disa miq tanë ndërkombëtarë e identifikonin atë si një organizatë terroriste. Në anën tjetër, ai pati guximin që t’u thoshte këtyre komandantëve të UCK (për të cilët bënte aq shumë!) që të luftonin e të mos merreshin me politikë, sepse nuk kanë kokë për politikë. Nuk u kuptua atëherë, por aq i bënte atij: më vonë e provuam të gjithë se ai pati të drejtë.
7. Demaçi dhe shpirti i së vërtetës
Gjykatat jugosllave e kanë shpallur Demaçin fajtor e kriminel, dhe e kanë dënuar me shumë vite burg, tri herë, duke bërë prej tij Armikun e Popullit numër Një. Në anën tjetër, populli e ka përjetuar atë si simbol të lirisë, si Hero i Popullit. Midis tyre, shumë politikanë e intelektualë, fatkeqësisht edhe shqiptarë, e kanë akuzuar deri edhe për tradhti. Prej këtyre ka edhe asi që kanë qenë në majë të kulturës shqiptare. Është domethënëse akuza e njërit prej tyre, e cila mund të përmblidhet kështu: Demaçi më mirë të kishte vdekur në burg, se do të mbetej simbol i lirisë. Do të thotë, Demaçi jashtë burgut nuk bën. Do të thotë, Demaçi i lirë nuk bën. Do të thotë, Demaçi si mit bën, por si njeri real, i gjallë, nuk bën. Po, pse? Sepse Demaçin si mit ne mund ta përdorim për interesin tonë, përmes emrit të tij ne mund ta realizojmë interesin tonë. Sepse, ndryshe, Demaçi jashtë burgut, i lirë, i gjallë, flet. Ai flet të vërtetën, flet atë që beson, edhe kur nuk e ka drejt e mirë. Ai ka guximin të flasë të vërtetën edhe kur të gjithë e japin vendimin për ta pushkatuar të vërtetën. Ashtu qysh ka pasur guximin ta thotë të vërtetën në Gjykatën Jugosllave, ashtu e ka guxuar kur ka thënë “vëllezërit serbë” apo “vëllezërit romë”. Ashtu ai ka guxuar të thotë se çka është mit artificial, çka është demokraci eksperimentale, çka është liria si lulja në saksi, çka është filantropizëm i shpifur. Duke thënë këto, ai ka djegur shumë të pavërteta, ka djegur shumë mashtrime, ka djegur shumë pseudo-interesa nacionale, shkencore e morale. Dhe, në këtë zjarr të së vërtetës shumë janë djegur. Prandaj ata e kanë shpallur Demaçin më të mirë në burg, më të mirë të vdekur, më të mirë shurdh-memec, tamam një figurë ideale prej Laokoonti, ashtu si e ka përshkruar mjaft mirë shkrimtari Kadrush Rodogoshi pozitën e ish të burgosurit politik në Kosovë pas viteve ’90 të shekullit XX. Por, Demaçi i ka përballuar këto akuza dhe ka vazhduar në çdo çast ta thotë të vërtetën e tij.
8. Demaçi dhe shpirti i pa korruptuar
Në kohën e krijimit të shtetit të Kosovës, të demokracisë dhe të vlerave të tjera moderne, procesi kaloi dhe ende po kalon nëpër vështirësi të stërmëdha dhe nëpër anarki të paparashikueshme. Kjo vazhdon të jetë periudha kur njeriu i ndershëm, kur patrioti i vërtetë, dhe kur mendimtari i vërtetë e ka ngushtë, deri sa gjërat i rrotullojnë në duart e tyre njerëzit e korruptuar, pseudo-patriotët dhe mediokrit. Kjo është periudha e facebook-ut e cila, përveç që çliroi informatën, ua dha fjalën budallenjve, si e ka thënë njëri prej filozofëve më të mëdhenj europian, Umberto Eko. Në këtë periudhë të mbretërisë shpirtërore, filozofike e materiale të budallenjve, nuk mbeti klasë, grup as individ i ndershëm në Kosovë pa u nëpërkëmbë. U përgojua, u shpif dhe u mallkua çdo njeri i ndershëm, çdo njeri i mençur dhe çdo patriot. Edhe për Demaçin u tha se “u korruptua”, sepse “po merr rrogë prej qeverisë”. Në fakt, Demaçi tregoi deri në fund se shpirti dhe mendja e tij janë krijuar dhe janë gdhendur dalëngadalë, me vite e dekada, dhe se ai ka shpirt e mendje heroi, i cili ka një qëllim të qartë fisnik në jetë, e nuk korruptohet nga imtësitë e jetës së përditshme. Ai u plak si shpirti më i pa korruptuar në Kosovë dhe në shqiptari.
9. Demaçi e ngre programin politik në nivel të filozofisë: filozofia e vetë-mohimit
Demaçi ka krijuar filozofinë e rezistencës shqiptare të shekullit XX, në dy vija. Vija e parë është përvoja e tij personale, jeta e tij prej njeriu që ka qëndruar i pa epur 28 vjet burg, çdo herë vital në mbrojtjen e së drejtës shqiptare për liri. Ai është simboli i lirisë shqiptare, me qëndresën e tij, me vetëmohimin deri në vdekje për të mbrojtur të drejtën për liri. Më vonë, e kjo është vija e dytë, ai e barti këtë përvojë të tij në romanin filozofik Libër për Vet Mohimin. Aty ai e përkufizon dhe e argumenton kuptimin filozofik të përvojës së tij, kuptimin e qëndresës deri në vetëmohim për lirinë, kuptimin e burgut për liri, mundësinë që një popull i vogël i shtypur mund të fitojë lirinë e vet përmes filozofisë dhe përvojës së vetëmohimit deri në liri. Libri për vetëmohimin përfundon si filozofi e vet pohimit. Me këtë ai thua se nuk e kishte shkruar vetëm jetën dhe përvojën e tij, por jetën dhe flijimin e Jasharajve: vetë mohimi i Demacit u bë vetë pohim për lirinë e Kosovës, sikurse më pas që vetë mohimi i Jasharajve u bë vetë pohim i lirisë së Kosovës. Mirëpo, edhe vetë jeta e Demaçit është një vetë-mohim i pafund për t’u shndërruar në vetë-pohim.
10. Kjo është hera e parë që një ideolog shqiptar në Kosovën e robëruar po e ndërtonte filozofinë e rezistencës dhe të lirisë shqiptare, duke trasuar fillimisht me jetën e tij dhe, pastaj edhe me mendjen e tij këtë rrugë. Programi politik shqiptar për çlirim, i formuar në dhjetëra mënyra dhe forma veprimi gjatë gjithë shekullit XX u bë bazë e një koncepti të ri të lirisë, individuale dhe nacionale: vetë-mohimi që sjell vetë-pohimin. Kjo ishte një zgjidhje e drejtë: filozofinë politike të lirisë së Kosovës e bëri njeriu, intelektuali dhe luftëtari i lirisë i dyzet vjetëve të jetës së tij.
11. Çështja Një e Demaçit
Sa do të gjitha këto që përmendëm më lartë, dhe shumë të tjera të denja për t’u përmendur, janë të rëndësishme për një situatë, për një grup njerëzish, për një kohë, apo edhe për vetë Demaçin, asnjëra prej tyre nuk është Çështja Një, asnjëra prej tyre nuk është esenca filozofike me të cilën Demaçi do t’i mbijetojë kohës. Atëherë cila është ajo esencë?
12. Tash rikthehemi përsëri te pyetja: nëse Demaçi nuk është nismëtari e as përfundimtari i çlirimit të Kosovës, nëse nuk ishte i asnjërës parti dhe i të gjithave nga pak, nëse artikuloi filozofinë e lirisë përmes vetëmohimit kah vetëpohimi, nëse mbi idetë dhe filozofinë e tij u themelua UÇK, nëse ai u vu për një kohë në ballë të saj dhe provoi ta ndryshonte, nëse nuk binte nën ndikimin e asnjë ideologjie kur ishte në pyetje liria shqiptare, nëse për dikë ishte Heroi i Popullit e për dikë Armiku i Popullit, atëherë cila është Çështja Një e biografisë së tij?
13. Demaçi ka vetëm një çmim, vetëm një shërbesë dhe vetëm një kontribut, për të cilin do të mbahet në mend edhe nga perspektiva historike: ai e mbajti të gjallë idealin e lirisë shqiptare, e mbajti të ndezur për dyzet vjet zjarrin e lirisë, si një atë parahistorik i cili e ka ruajtur zjarrin për njerëzimin, apo si Prometheu i cili ua dhuroi atë njerëzimit. Askujt më mirë se këtij Demaçi nuk i rrinë lutjet e Moisiut drejtuar Hyjit “…dyzet vjet shpresën ma yshqeve”, si në vargjet e Nolit. Ai nuk e la të vdiste këtë ideal për dyzet vjet, edhe në çastet më të vështira, edhe atëherë kur të gjithë prisnin vdekjen e këtij ideali dhe shuarjen e këtij zjarri, edhe atëherë kur as dielli nuk dukej askund në horizont. Edhe atëherë ai e ujiste bimën e lirisë me djersën dhe gjakun e tij. Për dyzet vjet ai e ushqeu lirinë, ai qe kopshtari-shpesh herë i vetëm- i lirisë, kujdestari fanatik i tempullit të lirisë. Ai nuk e la për asnjë çast të shuhej flaka e lirisë edhe atëherë kur e godisnin, edhe atëherë kur e shanin, edhe atëherë kur e pështynin, edhe atëherë kur i thoshin armik e tradhtar, edhe atëherë kur i thoshin më mirë të kishe vdekur në burg se sa që ke mbetur gjallë! Kur të gjithë u lodhën, ai nuk u lodh. Kur të gjithë dyshuan te ëndrra e lirisë, ai foli për lirinë. Ai qëndroi me pishtarin e lirisë në duar edhe atëherë kur mund t’i dilte shpirti nga trupi.
14. Ai besoi dhe guxoi. Besoi te liria dhe guxoi të fliste për lirinë edhe në vetminë më të thellë të qelive të nëndheshme të burgjeve, edhe atëherë kur shëtiste tërësisht i vetmuar rrugëve të zbrazura të Prishtinës, në kohën e luftës, dhe priste t’i dilte përpara një grup policësh a ushtarësh e ta qëllonin për vdekje, edhe atëherë kur i thanë se je korruptuar sepse e merrte një pagë kosovare prej qeverisë (për të cilën unë edhe sot nga këtu e falënderoj qeverinë dhe pyes se a kemi mundur të bëjmë më shumë për të?). Ku e gjeti atë forcë të mos dorëzohej edhe para plumbit të armës, edhe para plumbit të përbuzjes, edhe para plumbit të sharjes, edhe para plumbit të mosmirënjohjes?
15. Kjo është esenca filozofike e Demaçit. Ai është kopshtari i lirisë, në kopshtin e të cilit ne jetojmë, por pa ia përmendur emrin atij. Nëse lirinë e Kosovës mund ta paramendojmë si një pemë të madhe e të lulëzuar, të jeni të sigurt se rrënjët e saja janë te Hasan Prishtina me shokë, lulet e saja të çelura janë te Adem Jashari me shokë, ndërsa trungu i saj është Adem Demaçi me shokë.