12.7 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Buy now

spot_img

Ngritet kallëzim penal kundër Nexhat Kryeziut, ai e quan shantazh këtë rast

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, me 4 korrik të këtij viti, është ngritur kallëzim penal kundër Nexhat Kryeziut, me arsyetimin se në cilësi të kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) në Prishtinë ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Këtë kallëzim penal në prokurori e kanë deponuar Nijazi Bajrami, Ilhan Domaniku, Rrahim Begolli, Beg Hasimi dhe Visa Zuka.

Sipas kallëzimit penal, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari Nexhat Kryeziu, si kryeshef ekzekutiv i NPB-së, me marrëveshje paraprake dhe në bashkëpunim me Arben Begollin, Fetije Konxhelin, Valdrin Gecin dhe Besnik Gashin ka përpiluar dhe lidhur kontratë fiktive të qiradhënies së 4 lokaleve afariste afër shkollës “Faik Konica” në Prishtinë, edhe pse ka qenë i njoftuar se ato lokale janë në pronësi private.

Në kallëzimin penal të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se i dyshuari Nexhat Kryeziu është paralajmëruar nga ana e pronarëve të atyre lokaleve afariste se të njëjtat janë në pronësi private.

Gjithnjë sipas kallëzimit penal, para lidhjes së këtyre kontratave, Arben Begolli, Fetije Kkonxheli, Valdrin Geci dhe Besnik Gashi e kanë pasur statusin e qiramarrësve të këtyre lokaleve në raport me të dëmtuarit, që në këtë rast e kanë pasur statusin e qiradhënësve.

“Me krijimin e këtij raporti të rrejshëm të marrëdhënies detyrimore, i është shkaktuar dëm i madh materialo-financiar pronarëve legjitim të atyre lokaleve. Me anë të këtij raporti nga ana e të dyshuarit Nexhat Kryeziu, ngërthehen në vete elementet e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422.1 i KPK-së” përfundon kallëzimi penal i ushtruar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi, Nexhat Kryeziu ka thënë se ky kallëzim penal është shantazhi i radhës që vie nga Beg Hasimi.

“Nuk është hera e parë që po merrem me këtë çështje. Tash e 1 vjet Beg Hasimi bën shantazhe të vazhdueshme, pasi mundohet ta marrë një pronë publike që nuk është e tij. Ky kallëzim penal është shantazhi i radhës i ushtruar nga ana e tij” ka thënë Kryeziu për “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, Kryeziu ka thënë se të dhënat që janë përmendur në këtë kallëzim penal nuk qëndrojnë, dhe se kallëzim penal duhet të ushtrohet kundër vet Beg Hasimit.

“Unë nuk kam asgjë personale me Beg Hasimin. Problemi është që NPB-ja donë me i marrë pronat e veta, nuk është problemi tek Nexhat Kryeziu. Policia janë marrë me këtë çështje. Këtë kallëzim penal e kanë bërë vetë ata. Të dhënat në atë kallëzim penal nuk qëndrojnë. Kallëzim penal duhet të bëhet kundër vetë Beg Hasimit, pasi ai po tenton marrjen e pronës së dikujt tjetër” ka përfunduar Kryeziu.

Ndryshe, në Prokurorinë Themelore të Prishtinës ky rast i është ndarë në punë prokurores Iliriana Çollaku-Tafa.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar për dy ditë rresht që të marrë një prononcim lidhur me këtë lëndë nga kryeprokurori përgjegjës për komunikim me media, Ibrahim Kelmendi.

Kelmendi ka deklaruar se nuk është në dijeni për rastin dhe ka udhëzuar që për këtë çështje të kontaktohet vetë prokurorja Çollaku-Tafa. Mirëpo kontakti me këtë të fundit, për dy ditë me radhë, ka qenë i pamundur.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img