Për një vend pune, i gjithë fshati ka mbetur pa ujë të pijshëm.
Fshati Koshtovë në komunën e Mitrovicës që nga 4 korriku ka mbetur pa ujë të pijshëm.
Në vitin 2000 Imer Grepi ka dhënë tokën e tij në fshatin Koshtovë të Komunës së Mitrovicës për ndërtimin e stacionit të pompave të ujësjellësit.
Si kompenzim iu premtua punësimi i të birit por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë.
E si shkas i mosdakordimit të palëve, fshati që nga 4 korriku nuk furnizohet fare me ujë të pijshëm.
“A është kjo ara jote, “po”, a bën këtu me i shti këta gypa se nuk po mundemi askund tjetër e pastaj me të punësuar një djalë, “po”. Kur erdhi puna me finalizua ky projekt, më thanë jo se këtu nuk na duhen punëtorë, s’na duhet askush, e kryejmë ne këtë punë, edhe ti shko në shtëpi!”, tregon Grepi, premtimin që atij ia bënë nga Komuna e Mitrovicës.
Grepi për RTV Dukagjinin, tregon saktësisht nga kush mori premtime.
“Më ka premtua kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Faruk Spahija. Edhe punëtorët e ujësjellësit kanë qenë dëshmitarë dhe me kanë thirrur në shtëpi”, tregon më tej Imer Grepi, përcjell Telegrafi.