Ky vendim është garanci e suksesit të rrugës për krijimin e një mjedisi të pastër për ne dhe brezat që vijnë.
Ministrja e MMPH-së, Albena Reshitaj si koordinatore e kësaj Task Force, së bashku me Kryeministrin, ministrat, shoqërinë civile, FSK-në, KFOR-in dhe të tjerët do të sigurojnë një aksion gjithëpërfshirës dhe të suksesshëm për pastrimin dhe gjelbërimin e Kosovës.
Paralelisht me aksionin e pastrimit të Kosovës në nivel nacional, nga muaji shtator, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të filloj me zbatimin e Udhëzimit për Gjobat Mandatore, ku përmes gjobitjes së qytetarëve që hedhin mbeturina jashtë vendeve të caktuara do të ndalim ri-krijimin e deponive ilegale të mbeturinave.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të raportojnë të gjithë ata që në një apo formë tjetër ndotin mjedisin ku jetojmë duke vepruar kështu së bashku në ruajtjen dhe mbrojtjen mjedisit.
MMPH-ja, së fundmi në “Ditën Botërore të Mjedisit” më 5 qershor 2018 ka realizuar aksion të pastrimit në 26 komuna të Kosovës duke pastruar kështu dhjetëra deponi ilegale.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, po ashtu ka mirëpritur edhe vendimin tjetër të Qeverisë së Kosovës për miratim të Projektligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, që ka për qëllim të ofrojë një bazë për zhvillimin e masave të komunitetit për zvogëlimin e ndotjes së ajrit nga burimet e mëdha, në veçanti nga industria, amvisëria, shërbimet publike dhe private, automjetet e transportit dhe infrastruktura.
Projektligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja është hartuar në harmoni me standardet evropiane, sipas teknikave të reja juridike, me një koncept fleksibil, të zbatueshëm në sistemin juridik të Republikës së Kosovës.