Me datën 23 korrik 2018 rreth orës 14:10 në rrugën Prishtinë-Pejë, gjegjësisht në fshatin Gllarevë, ka ndodhur aksident trafiku me fatalitet dhe me lëndime trupore, me pasojë vdekjen e tre (3) personave dhe lëndimin e tre (3) të tjerëve.
Në këtë aksident ishin të përfshira tri automjete një veturë “ vw pasat” me targa vendore, një autobus i markës “Setra” me targa vendore, dhe një veturë e markës “jaguar” me targa te regjistrimit të Republikës së Shqipërisë.
Tre të lënduarit pas marrjes se ndihmë se parë në spitalin rajonal në Pejë lirohen për shërim të mëtutjeshëm në shtëpi.
Lidhur me aksidentin është njoftuar prokurorja e shtetit, e cila ka marrë pjesë në vendin e ngjarjes dhe me urdhrin e saj trupat e viktimave u janë lejuar familjarëve për ceremoni mortore.
Sipas të dhënave preliminare dyshohet se aksidenti ka ndodhur derisa ngasësi i veturës VW PASAT ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Gllarevë, hyn në tejkalim dhe i njëjti me pjesën e parë ballore përplaset me autobusin i cili ishte duke qarkulluar ne drejtim të Prishtinës dhe pas kësaj goditje përplaset edhe me veturën Jaguar i cili ishte duke qarkulluar në drejtim të Pejës.