Komisioni Evropian (KE) të mërkurën ka publikuar rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, përmes së cilit ka konfirmuar përmbushjen e dy kritereve të fundit në këtë proces, ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.
Komisionari për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Evropian, Dimitris Avramopoulos, ka kumtuar lajmin pozitiv dje, duke bërë të ditur se Kosova e ka plotësuar edhe kriterin e 95-të për heqjen e regjimit të vizave, shkruan “Zëri”.
Duke uruar Kosovën, Avramopolus u ka bërë thirrje Parlamentit Evropian (PE) dhe Këshillit të Ministrave që të lëvizin në këtë drejtim dhe sa më parë të marrin vendim për heqjen e vizave.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët që pati dje me komisionarin e BE-së e ka cilësuar si moment historik për Kosovën dhënien e rekomandimit për vizat.
Menjëherë pas publikimit të rekomandimit janë deklaruar edhe krerët e tjerë institucionalë në Kosovë, të cilët kanë konsideruar se Kosova e ka merituar një lajm të tillë.
Ndërkaq përfaqësuesit e opozitës kanë thënë se procesi i liberalizimit nuk ka përfunduar me ditën e djeshme.