Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se rekomandimi pozitiv që sot e mori Kosova për liberalizimin e vizave, është i merituar.
Andaj, ka thënë ai, ky është lajm i mirë jo vetëm se ka të bëjë me lëvizjen e lirë, por edhe për shkak të ekonomisë kosovare dhe sidomos për të rinjtë e vendit.
Tutje, ai u ka shprehur mirënjohje të gjithë atyre njerëzve që kanë punuar që Kosova të vijë deri në ditët e sotme.
Ndryshe, ai ka theksuar se beson që 99 për qind e punës së liberalizimit është kryer, ndërsa ka shtuar se tashmë Kosova do të punojë me intensitet maksimal për sfidat e radhës.
“Përsëri i shprehi mirënjohje të gjithë atyre që kanë bërë që të vijmë këtu ku jemi sot. Besoj që 99 për qind e punës është përfunduar. Përkushtimi jonë për mbrojtjen e interesave për të marrë përgjegjësi do të vazhdojë dhe ne nga nesër do ta shfrytëzojmë maksimalisht këtë lajm për t`i intensifikuar punimet edhe për sfidat tjera që na presin”, ka përfunduar Limaj.