Qeveria e Kosovës ka miratuar Draftraportin e punës së Qeverisë për periudhën shtator 2017-korrik 2018.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tha se gjatë kësaj kohe janë marrë 600 vendime, të cilat janë aprovuar nga Qeveria.
” Ky raport pas aprovimit në Qeveri dërgohet në Kuvend. Ky raport është një pasqyrë e punës sonë. Ky raport vërteton një dinamikë të punës që nuk ka qenë ndonjëherë në vend. Një dinamikë e vetmja e këtillë prej se ekzistojnë Qeveria, që nga pavarësia e Kosovës”, tha ai.
Kabineti qeveritar ka ndarë mjete financiare në vlerë prej 45 mijë euro, për zbatimin e projektit “Përmirësimi racor i gjedhit dhe rritja e vetive prodhuese të lopëve qumështore në fermat e Kosovës”.
500 mijë euro janë ndarë për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ndërsa 88 mijë e 500 euro i janë ndarë komunës së Mitrovicës për projektin e ri “Ngritja e monumentit kushtuar dëshmorit të kombit Artim Jashari”.
Në këtë mbledhje Qeveria ka emëruar Nenad Stojçedoviq sekretar të përgjithshëm të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.