Ministri i Punëve të Brendshme Bejtush Gashi, ka bërë të ditur se Komisioni Shqyrtues i Policisë së Kosovës ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet nga konkursi për pjesëtarë të policisë, i hapur muaj më parë.
“Komisioni shqyrtues ka shqyrtuar të gjitha aplikimet për kadet të Policisë së Kosovës dhe në vijim do të bëhen publike listat për kadet të policisë që i plotësojnë kriteret për testim”, tha ministri Gashi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Ministri Gashi nuk që i gatshëm të deklarohet me saktësi për numrin e pjesëtarëve që do t’i shtohen Policisë së Kosovës, me arsyetimin se një gjë e tillë varet nga nevojat e tyre.
Ndryshe, të drejtë konkurrimi kanë pasur të gjithë shtetasit e Kosovës të moshës 18 deri në 30 vjeç, që kanë përfunduar shkollimin e mesëm, që janë në gjendje të mirë fizike, mentale dhe emocionale, pa dënime në ndonjë vepër penale dhe të cilët nuk posedojnë tatuazh në vend të dukshëm.