Nisma Socialdemokrate, ashtu siç raportoi mbrëmë Indeksonline, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha dhe kryetarin e Partisë së Ashkalive për Integrim, Etem Arifi.
Më anë të kësaj marrëveshje deputetët Veton Berisha dhe Etem Arifi pajtohen që të bashkëngjiten dhe veprojnë në kuadër të Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate.
Kësisoj, numri i Grupit Parlamentar të Nismës nga gjashtë rritet në tetë.
Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj i ka uruar deputetëve Berisha dhe Etemi mirëseardhje në Grupin Parlamentar të Nismës.
Nga ana tjetër, deputetët Berisha dhe Arifi janë shprehur të kënaqur me arritjen e kësaj marrëveshje.
“Ne e kemi mirëprite shumë këtë marrëveshje për shkak se po i bashkojmë forcat brenda Grupit Parlamentar të Nismës me kushtin që bashkë me i shty proceset përpara. Komuniteti ynë e ka pritë shumë mirë për faktin se Nisma është një parti socialdemokrate dhe kemi shumë çështje të përbashkëta”, ka thënë deputeti Berisha pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes deputetët Berisha dhe Arifi janë pritur në ambientet e Grupit Parlamentar të Nismës nga shefi i këtij Grupi Parlamentar, Bilall Sherifi dhe deputetët tjerë të Nismës.
Sherifi ndër të tjera u zotua se Grupi Parlamentar i Nismës do t’ua jap gjithë hapësirën e nevojshme deputetëve Berisha dhe Arifi në Kuvend dhe Komisione Parlamentare.