0.7 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Buy now

spot_img

Ende s’ka datë për takimin e ri Kosovë-Serbi në Bruksel

Ende nuk ka datë se kur do të jetë takimi i radhës në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini.

Në një prononcim për Telegrafin, zyrtar nga kabineti i presidentit Thaçi kanë thënë se nuk është caktuar ndonjë datë për takimin e radhës të nivelit politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Ende nuk ka datë për vazhdimin e dialogut mes dy presidentëve atij të Kosovës-Serbisë”, kanë thënë nga kabineti i presidentit.

Ndryshe, partitë opozitare po kundërshtojnë që dialogu Kosovë-Serbi të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi. Mirëpo në lidhje me këtë nuk është ndërmarrë asnjë veprim që çështja të diskutohet në njërën nga seancat e Kuvendit. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka ironizuar një ditë më parë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se kryetari i saj, Isa Mustafa ta marrë rolin prijës në dialogun me Serbinë dhe të mos e bllokojë procesin.

Por, shefi i Grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur Veselit duke thënë se proceset shtetërore në Kosovë, përfshirë dialogun me Serbinë, duhet të udhëhiqen nga institucionet e shtetit të Kosovës, ndërsa sipas tij, hedhja e topit tek opozita dhe fyerja e liderit kryesor të opozitës nuk i kontribuon situatës.

Ai më tutje ka thënë se nëse institucionet nuk kanë fuqi politike dhe legjitimitet për të përfaqësuar shtetin e Kosovës, siç është situata tani, atëherë zgjedhjet e reja janë të domosdoshme për të nxjerrë institucione legjitime përmes votës së qytetarëve.

Ndërsa, koalicionit qeverisës i kanë dhënë mbështetje presidentit Hashim Thaçi që ta marrë udhëheqjen e procesit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Institucionet e Kosovës po këmbëngulin në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat sipas Prishtinës janë bllokuar nga Beogradi. Para së gjithash, përmenden marrëveshjet për energjinë, ajo për hapjen e urës mbi lumin Ibër, kthimi i dokumenteve kadastrale, njohja e diplomave dhe lejimi i funksionimit të objekteve të marra me qira në veri të Kosovës. Pala serbe, në anën tjetër, insiston në formimin sa më të shpejtë të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img