Ka arritur në 40 numri i pjesëtarëve të komunitetit serb që kanë kërkuar largim nga Forca e Sigurisë e Kosovës (FSK).
Largimi i tyre po shihet si strategji e Serbisë për pengimin e formimit të ushtrisë së Kosovës.
Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë presidenti Hashim Thaçi, i cili tha se largimi i tyre është i organizuar, por se as kjo dhe askush tjetër nuk mund ta pengojë formimin e ushtrisë.
Në anën tjetër, pala serbe vazhdon të insistojë se Kosova s’mund ta formojë ushtrinë e saj.
Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin deklaroi se pa 10% të pjesëmarrjes serbe s’mund të formohet ushtria.
Ndërsa Ministria e FSK-së ka deklaruar për “Zërin” se ndonëse çdo pjesëtar ka të drejtë të largohet nga FSK-ja, largimi i serbëve nuk po bëhet me dëshirë.
Ata thonë se shqetësimi i MFSK-së është se qytetarët s’po mund të vendosin lirshëm.