Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar partitë opozitare që ti lënë inatet e të bashkohen për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Ai tha se ballafaqimi me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë i lehtë dhe çdoherë që skena politike kosovare ka qenë ë bashkuar, Kosova ka fituar më shumë.
Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë nuk janë temë populiste që sjellin vota, por është obligim të përmbyllet si çështje, për të garantuar të ardhemne e gjeneratave të reja dhe për të ardhmen euro atlantike të vendit.
“Çdoherë që bisedon me Serbinë, asnjëherë nuk do të aploudohesh nga qytetarët. Sa herë që takohesh me Serbinë kurrë nuk ke me fitu vota. Por mes një të ardhme e cila është për gjeneratat tona, për fëmijët tanë, që mos me ua lënë barrë atë që e kemi përjetuar ne, dhe për të siguruar të ardhmen më të sigurt euro atlantike, do të shkojmë të bisedojmë. Në të njëjtën kohë ne shkojmë të bisedojmë për Kosovën shtet i pavarur dhe sovran”, tha Veseli.
Ai ka komentuar edhe qëndrimet e LDK-së kundër dialogut me Serbinë dhe udhëheqjen e këtij procesi nga presidenti Hashim Thaçi.
“Le të del Isa le ta merr bajrakun. Ja unë sot përfaqësoj partinë më të madhe në institucione dhe shkoni bëjani ofertë, e kanë. Por me blloku çdo proces për inat se nuk je në pushtet deri të behet tamam, kjo nuk është korrekte. Kur kemi qenë bashkë kemi fituar më shumë. Por realisht ky pozicioni bukur inatçor i LDK-së, është duke e dëmtuar Kosovën. Po flas, edhe me FSK-në e ka dëmtuar, edhe me demarkacionin e ka dëmtuar. Dhe në të njëjtën kohë, po frikësohemi se do të jetë edhe kjo tani me çështjen e dialogut”, tha Veseli.
Ai ka thënë po ashtu se çdo veprim për procesin e dialogut Kosovë-Serbi do të kalojë nëpërmjet Kuvendit.
“Çështja e konsensusit është e domosdoshmne. Ju e dini që unë çdoherë kam thirrur për konsensus. Çdo veprim institucional që do të ndërmerret do të kalojë përmes Kuvendit. Për këtë kemi diskutuar dhe jemi pajtuar edhe me presidentin edhe me kryeministrin. Se do të ketë drejtim institucional, se Kuvendi do ta ketë rolin e vet të plotë, kjo as nuk ka mëdhyshje. Kjo është një marrëveshje që e kemi si institucione por edhe si partnerë të koalicionit, mund të them që nga java e kaluar në takimin që kemi pasur, ku ka qenë presidenti, kryeministri, kam qenë unë, kanë qenë edhe zëvendëskryeministrat, përfshirë edhe zotëri Limaj”, tha Kryeparlamentari Veseli.