Një i ri është vënë në pranga nga policia pasi ka gjetur një laborator droge në një shtëpi të marrë me qira në lagjen e Shkozetit.
Burime nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se i riu i arrestuar, Elio Bedulla ishte në kërkim për një ngjarje tjetër, ku kishte qëlluar me armë ndaj një personi.
Njoftimi i Policisë për ngjarjen:
Finalizohet operacioni policor i ndjekur me metoda speciale, koduar “Shkozeti”, arrestohet 1 person dhe shpallet në kërkim 1 tjetër.
I arrestuari po kultivonte bimë narkotike në ambient të mbyllur te përshtatur.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit të Policisë Durrës dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi me metoda speciale kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Shkozeti”, duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit të shpallur në kërkim më parë:
Elio Bedulla 25 vjeç, banues në Durrës.
Bedulla, ishte i shpallur në kërkim pasi në datë 4 qershor 2018 dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit S. N. (pa shkaktuar dëmtime fizike).
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Y. T. (dhënë me qira) lagja nr.14, Shkozet, në 2 dhoma është konstatuar se ishin përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llampave elektrike.
Gjatë operacionit është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike në banesë, që shërbente për furnizimin me energji.
Në cilësinë e provave materiale grupi hetimor ka sekuestruar:
221 bimë të dyshuara të llojit Cannabis Sativa;
një sasi e vogël kanabis;
1 armë zjarri pistolete.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit R.G., 33 vjeç, banues në Durrës, si bashkëpunëtor në kryerjen e veprës penale me shtetasin E.Bedulla, pasi ky shtetas e kishte marrë me qira banesën e shtetasit Y.T.
Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë për shpërdorim detyre shtetasi K.D., 28 vjeç, faturist, OSHEE Durrës, pasi nuk ka konstatuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike në banesën e shtetasit Y.T.
Nuk jepen më shumë detaje për ngjarjen për shkak të vazhdimësisë së veprimeve hetimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike, e kryer në bashkëpunim”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve luftarake dhe e municionit”, “Vjedhja e energjisë elektrike dhe impulseve telefonike” , “Vrasja e mbetur në tentativë”./syri.net