Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945 dhe pas ngritjes së murit më të ndarjes ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve në Kosovë, çështja e Kosovës dhe e trevave tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbetej e pazgjidhur.
Në Kuvendin e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945 çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur.
Në Rezolutën e Kuvendit të Prizrenit (Mbledhja e dytë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës, Prizren, korrik 1945), u shpall se Kosova “me dëshirë të popullsisë së saj i bashkohej Serbisë federale në kuadër të Federatës jugosllave”.
Një zgjidhje e tillë e çështjes “me dëshirë të vetë popullsisë së Kosovës” kundër logjikës së karakterit objektiv të strukturës kombëtare të Kosovës dhe të hapësirës së gjerë e, me vazhdimësi të shumicës etnike shqiptare në Ballkan, jo vetëm që nuk mbyllte historikisht problemin e Kosovës dhe atë shqiptar, por e rihapte këtë çështj në mënyrë virtuale në kontekst të ri historik, në masë gjeopolitike në Ballkan.
E tërë kjo ndikoi që forcat nacionaliste në Kosovë të reagojnë ashpër për vendimet që solli kuvendi në mënyrë arbitrare.