Edhe pse Haziri u deklarua në një emision televiziv se LDK-ja pajtohet që Thaçi ta drejtojë dialogun, Hoti thotë se ky mund të jetë vetëm qëndrim personal i Hazirit.
Por si mund të jetë qëndrim personal deklarata e nënkryetarit të parë të LDK-së? Apo thënë ndryshe, cili ka pozitë më të rëndësishme në LDK? Lutfi Haziri si nënkryetar dhe kryetar i Gjilanit, apo Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar dhe humbës i zgjedhjeve nacionale si kandidat për kryeministër?
Është mëse e thjeshtë, Lutfi Haziri ka dukshëm me shumë peshë si nënkryetar në krahasim me Avdullah Hoti, por jo vetëm kaq. Lutfi Haziri është njëri nder të parët në LDK, kurse Hoti shumë vite më pas ka ardhur në këtë parti, shkruan lajmi.net.
A janë këto deklarata kundërthënese brenda LDK-së dhe udhëheqjes së saj vetëm fillim i fushatës së kush do ta merr partinë në dorë vitin e ardhshëm kur edhe do të mbahen zgjedhjet.
Të kujtojmë se Lutfi Haziri ditë më parë doli edhe kundër Lumir Abdixhikut, deputetit të LDK-së i cili tha se LDK-ja duhet të kërkojë ndihmë nga partitë opozitare për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.
“Nuk mendoj se Haziri ka thënë ashtu. Por, nëse po, atëherë nuk do të përfaqësonte qëndrimin e LDK-së, por do të ishte vetëm një deklaratë e një anëtari të LDK-së”, tha Hoti sot, duke e minimizuar rolin e Hazirit në vetëm të një anëtari të thjeshtë të LDK-së.
Mbrëmë nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se kjo parti mbështet presidentin Hashim Thaçi që të udhëheqë dialogun me Serbinë.
Haziri tha se nuk dëshirojnë që të krijohet precedent i refuzimit të përfaqësimit nga institucionet.
Tensione mes grupeve në LDK, ndërhyn Isa Mustafa nga Gjermania
Lajmi.net më 4 mars të këtij viti kishte raportuar për tensionet brenda grupeve të LDK-së dhe ndërhyrjen e Isa Mustafës nga Gjermania.
Raporti i 4 marsit që tregonte për ndarjet e thella brenda LDK-së:
Veprimet e fundit të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bojkotuar seancat parlamentare në solidarizim me veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje, kanë përplasur klanet më të forta brenda LDK-së, të cilat kanë akuzuar deputetët e LDK-së se janë pa vizion dhe po menaxhohen nga VV.
Këto zhvillime e kanë shtyrë të reagoj kryetari i LDK-së Isa Mustafa i cili nga spitali në Gjermani ka ndërhyrë nëpërmjet bisedave telefonike duke i qortuar udhëheqësit e klaneve brenda partisë së tij që shpesh po bien nën menaxhim të VV-së.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur për lajmi.net se Mustafa nëpërmjet telefonit i ka kujtuar zyrtarëve të lartë partiak se gjatë kohës së qeverisjes së LDK-së, pikërisht deputeti i VV-së, Frashër Krasniqi, dhe aktivistë të dhunshëm të Vetëvendosjes, e kanë sulmuar eskortën e tij dhe shtëpinë e tij disa herë.
“Kjo e premte dëshmoi qartë përçarjen dhe klanet e forta brenda partisë sonë, kur u zbulua nga Kryetari Mustafa manipulimi që po u bëhet deputetëve tanë nga VV-ja, por me dijeninë e nënkryetarëve të LDK-së që synojnë ardhjen në krye të partisë. Në fakt, aktualisht kemi katër klane të forta që po shtyhen për marrjen e lidershipit. Në njërën anë është Nënkryetari Agim Veliu, në anën tjetër Lutfi Haziri, por po ashtu është klani i Dukagjinit që udhëhiqet nga Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, si dhe klani që ne e quajmë Riinvest e që përbëhet nga Lumir Abdixhiku, Driton Selmanaj dhe disa deputetë. Ambiciet e tyre janë shfaqur në masë të madhe sidomos pas shkuarjes së Kryetarit Mustafa për shërim në Gjermani”, ka thënë një zyrtar i lartë i LDK-së me kushte anonimiteti.