9.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Buy now

spot_img

Rasti “Stenta”, zyrtarë të MSH-së thonë se pagesat për pacientët në spitale private ishin subvencione dhe s’i janë nënshtruar prokurimit

Ka vazhduar edhe të premten dëgjimi i dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në rastin ku ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, po gjykohen për korrupsion.

Në dëshminë e saj, zyrtarja për certifikim në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Igballe Hasani tha se mjetet që janë ndarë nga MSH-ja për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike, kanë qenë mjete që janë ndarë nga linja e subvencioneve.

Këto mjete, siç tha Hasani, pasi që kanë qenë subvencione nuk kanë kaluar përmes Ligjit për Prokurim Publik.

Pagesa të tilla, sipas dëshmitares, nuk janë bërë vetëm për pacientët që kanë pasur probleme me zemër, por edhe për sëmundje tjera.

Për shumën e mjeteve që ndaheshin për pacientët, dëshmitarja Hasani, tha se vendoste bordi ekzekutiv në kuadër të MSH-së, mirëpo, të njëjtat sipas saj, nuk kanë mundur të ekzekutohen pa nënshkrimin e sekretarit.

Kurse, nëse shuma e mjeteve të ndara ishte mbi 10 mijë euro, atëherë siç tha Hasani, vendimi duhej të nënshkruhej edhe nga ministri.

Në mungesë të sekretarit, këto vendime siç tha Hasani, mund të nënshkruheshin edhe nga ana e zëvendësuesit të tij, shkruan “Betimi per Drejtesi”.

“Nëse sekretari ka qenë në udhëtim jashtë vendit, nënshkrimin e ka jap personi që ka mbet aty në vend te sekretarit si zëvendësues. Për ketë jemi njoftuar paraprakisht përmes e-mailit se kush do të zëvendëson sekretarin”, tha Hasani

Sa i përket marrëveshjeve që MSH-ja kishte pasur me spitalet private për trajtimin e pacientëve, dëshmitarja tha se nuk ka qenë në dijeni dhe nuk i ka parë marrëveshjet në fjalë.

Si zyrtare certifikuese, Hasani tha se për të, bazë për ekzekutim ka qenë vendimi i nënshkruar nga ana e sekretarit ose ministrit, varësisht shumës së mjeteve që janë ndarë.

Megjithatë, Hasani tha se ka pasur mundësi që vendimet e tilla të refuzohen në rast se të njëjtat nuk kanë pasur bazë ligjore, kur për një gjë të tillë, u pyet nga ana e prokurores speciale, Florije Salihu-Shamolli.

“Po kom pas të drejtë me refuzu. Nëse e kom pa që nuk po përputhet me pro faturën dhe nuk përputhen shuma me vendimin apo nëse pacienti shkon në spital tjetër, e jo në spitalin që i është leju, atëherë vendimi nuk është aprovuar, por është kthyer prapa. Unë personalisht nuk kam refuzuar asnjëherë ndonjë lëndë. Në vendimet që unë kam pranuar, fillimisht nuk ka qenë i përcaktuar spitali në cilin ka shkuar pacienti, kurse me vonë dikur, ka filluar te figurojë aty dhe spitali”, tha në fjalën e saj, dëshmitarja Hasani.

Në fund të dëshmisë së saj, dëshmitarja Hasani nuk e mohoi faktin se disa herë i ishte thënë nga ish-sekretari Shabani, që të punonte në bazë të ligjit dhe të mos lejonte presione në punën e saj.

Se mjetet që ndaheshin për pacientët nga MSH-ja ishin subvencione e tha edhe dëshmitari tjetër në këtë rast, Bardhyl Jerliu.

“Sa e di unë, edhe pse nuk punoj ne financa, këto mjete ndahen nga subvencionet”, tha dëshmitari.

Jerliu, i cili tha se nga viti 2014 është ushtrues detyre i udhëheqësit të divizionit për trajtime jashtë institucioneve publike në kuadër të MSH-së, shpjegoi edhe kriteret bazë në bazë të cilave pacientët duhet të aplikonin për këto mjete.

“Në bazë të udhëzimeve administrative në fuqi atëherë dhe tani, dokumenti bazë për me mund me apliku për financim nga programi për trajtim është mendimi konsuliar, i cili lëshohet nga komisioni përkatës ne QKUK. Pastaj është fletë aplikacioni, dokumenti i identifikimit, pro faturat sidomos nga institucioni ku do te trajtohet pacienti, të cilin e përzgjedh vet pacienti si dhe në rastet sociale dëshmia me te cilën e liron nga pagesat”, deklaroi Jerliu.

Shuma që ndahej nga MSH-ja, dëshmitari tha se varionte, 50-70 % për kategoritë që nuk kanë qenë raste sociale si dhe 100 % për rastet sociale dhe fëmijët nën 18 vjet.

Megjithatë, shuma e ndarë nga MSH-ja, sipas tij, nuk ka guxuar të kalojë asnjëherë mbi 30 mijë euro, përveç rasteve të leukemisë.

Si kriter kryesor për ndarjen e mjeteve, dëshmitari tha se ka qenë fakti, se pacienti nuk ka mundur të trajtohet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sa i përket vendit të trajtimit të pacientëve, Jerliu tha se të njëjtit kanë qenë të lirë të zgjedhin vet spitalin se ku dëshirojnë të trajtohen.

Në lidhje me këtë, gjykatësja Violeta Namani e ballafaqoi dëshmitarin me një raport financiar të MSH-së e ku shihej se mbi 300 pacientë kishin shkuar tek një spital i njëjtë, përkatësisht “International Medicine Hospital” (IHM).

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk ka ndonjë koment, por duhet të pyeten pacientët se pse kanë zgjedhur të shkojnë në atë spital.

Në fund të dëshmisë së tij, Jerliu tha se nuk ka qenë në dijeni se ka ekzistuar marrëveshje mes MSH-së dhe spitaleve private, IHM dhe EDA, kur për një gjë të tillë u pyet nga ana e prokurores.

Ndryshe, seanca po vazhdon dhe pas pauzës së drekës, pritet të dëgjohet dëshmitarja Hidajete Imeri.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img