Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e Adem Grabovcit për masë të përkohshme – ndalimin e publikimit të përgjimeve, me arsyetimin se nuk ka kurrfarë shkelje ligjore dhe se paditësi – Adem Grabovci, nuk ka ofruar asnjë provë se Insajderi ka shkelur privatësinë, apo të drejtat tjera kushtetuese.
Adem Grabovci ka dështuar në përpjekjet e tij për të ndalur publikimin e përgjimeve të tij nga Insajderi. Bllokimin është munduar ta bëjë edhe nëpërmjet Gjykatës.
Por, Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e tij për masë të përkohshme, me arsyetimin se nuk ka kurrfarë shkelje ligjore dhe se paditësi – Adem Grabovci, nuk ka ofruar asnjë provë se Insajderi ka shkelur privatësinë, apo të drejtat tjera kushtetuese.
“Refuzohet propozimi i propozuesit të sigurimit Adem Grabovci nga Prishtina për caktimin e masës së sigurimit përmes të cilit ka kërkuar që kundërshtarëve të sigurimit ‘Insajder’ sh.p.k me seli në Prishtinë Vehbi Kajtazi dhe Parim Olluri nga Prishtina, të urdhërohet që të mos publikojnë bisedat telefonike të incizuara në mes propozuesit të sigurimit dhe palëve të treta deri në përfundimin e kësaj procedure kontestimore”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të datës 12 gusht 2016.
Kërkesa për masë të sigurisë është bërë pak ditë pas nisjes së një serie shkrimesh dhe publikimesh të përgjimeve nga Insajderi.
Publikimi i përgjimeve ka nisur nga 1 gushti i këtij viti dhe është duke vazhduar. Me këto përgjime është dëshmuar fuqia e Adem Grabovcit dhe strukturës së Partisë Demokratike të Kosovës. Vetëm për dy muaj, nëntor – dhjetor 2011, Grabovci punëson qindra njerëz, zgjedh dhjetëra kryetarë e anëtarë bordesh, drejtorë ndërmarrjesh e agjencish të pavarura. Heq nga lista njerëz që në teste dalin të parët për pozita udhëheqëse. Ndërron komisione për konkurse. Madje i anulon konkurset në ato raste kur njerëz të tij nuk marrin pikë të mjaftueshme.
Gjithë këto veprime Grabovci i bën me dijeni dhe në bashkëveprim me Hashim Thaçin, president i Kosovës të cilin e quan “shef”. Shef e quan edhe Kadri Veselin, të cilit i thotë: “Ti i merr vendimet, une i zbatoj”. /Insajderi/