Kryetari i Nismës Socialdemokrate njëherësh zëvendëskryeministër në qeverinë e Kosovës, Fatmir Limaj ka kujtuar dy Korrikun e vitit 1990 kur delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese të pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e dy Korrikut e vitit 1990, sipas Limajt, shënon kthesën e madhe në përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi.
“Dy korriku i vitit 1990 mbetet nder datat më të rëndësishme në historinë e Kosovës, e cila i parapriu Kushtetutës së Kaçanikut dhe ngjarjeve tjera të mëdha të cilat çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Limajt.
Më tutje, Limaj shkruan se ne sot kujtojmë me respekt veprën dhe sakrificën e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës të cilët në rrethana të jashtëzakonshme legjitimuan vullnetin e qytetarëve të Kosovës për liri e pavarësi.