Në kohën kur Kosova po ballafaqohet me pakënaqësi rreth shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, faji po i hidhet Komisionit Shtetëror që lejoi ardhjen deri në këtë situatë. Kështu ka deklaruar deputeti nga radhët e LDK-së, Nuredin Ibishi.
Në një prononcim për “Indeksonline”, Ibishi ka thënë se është Komisioni Shtetëror ai që i solli deputetët para aktit të kryer, duke u treguar i papërgjegjshëm lidhur me demarkacionin.
“Unë personalisht fare nuk mendoj se është në rregull demarkacioni, por pasi është interesi i shtetit më i madh se ajo hise e jona aty, normal duhet të votohet. Unë veç kam deklaruar se janë bërë shumë gabime aty. Puna e Komisionit është e papërgjegjshme dhe fatkeqësisht marrëveshja nuk është rishikuar me kohë, por sido që të jetë tash po flasim për diçka që ka ndodhë, nëse është interesi i shtetit, demarkacioni po na pret në të ardhmen”, ka thënë ai.
Sipas tij, pala malazeze ka diktuar gabimet, por që Kosova është treguar inferiore.
“Pala malazeze e ka diktuar në çdo aspekt gabimet, edhe në dokumentacion, edhe në rregullore por edhe në vend të shënjimit të vijës kufitare, por Kosova ka qenë inferiore edhe na ka sjellë para aktit të kryer. Gabimi i Komisionit është që në kuadër të dokumentacionit të tanishëm është fokusuar vetëm në aspektin e ndarjes kadastrale të pronave në komuna dhe nuk është lidh edhe në hartat topografike ku ka qenë e shënuar vija administrative vija mes Kosovës, Serbisë e Malit të Zi. Një herë pala malazeze i injoron provat që kanë qenë dëshmi tona, tash kur duhet të shënohet vija kufitare, prapë shënohet harta topografike. Këtu pala malazeze e ka marrë pjesën që iu ka konvenuar atyre dhe këtë e ka marrë edhe pala kosovare”, ka sqaruar Ibishi për Indeksonline.
Deri te fitorja e palës malazeze, Ibishi thotë se ka ardhur pasi me demarkacionin nuk janë marrë njerëzit e duhur. Sipas tij, nuk ka pasur njerëz të topografisë, apo gjeografë që e njohin fushën.
Ndërsa, për deputetët e koalicionit me të cilët udhëheq LDK-ja, thotë se ata e kanë më të lehtë ta menaxhojnë situatën./