Agjencia Kosovare e Privatizimit e ka fituar në të dy shkallët procesin gjyqësor që është zhvilluar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës me kompaninë ESBI nga Republika e Irlandës.
Kolegji i Ankesave i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës ka lëshuar aktgjykimin me të cilën ka refuzuar ankesën e paditësit ESBI Consultants Limited nga Republika e Irlandës me çka ka vërtetuar aktgjykimin e lëshuar nga Kolegji i Specializuar i po kësaj gjykate që e ka refuzuar si të pabazuar padinë e ESBI-së.
ESBI Consultants Limited, kompani e regjistruar në Irlandë, ishte e angazhuar në menaxhimin e Korporatës Energjetike të Kosovës në vitet 2004-2006 përmes një kontrate të lidhur me ish- AKM-në.
Më 26 qershor 2008 ESBI kishte ushtruar padi ndaj ish-AKM-së për, siç thuhej në padi, mos përmbushje të detyrimeve ndaj saj për angazhimin në KEK.
Vlera e kontestit ka qenë 4,945,128.83 euro, ndërsa duke llogaritur pretendimet e ankuesit në interes nga viti 2006 e deri më tani që në vlerë totale i bie afër 10 milionë euro.
Përgjatë një procesi të gjatë gjyqësor, AKP në të dy shkallët e Dhomës së Posaçme e ka fituar kontestin gjyqësor duke e kursyer kështu Buxhetin e Kosovës për rreth 10 milionë euro nga dënimet potenciale.