Ljajiq ka theksuar se partia e tij menjëherë pas hapjes së dialogut ka ofruar planin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, i cili përfshinte tri faza apo tri grupe të temave që duhet të negociohen, pastaj periudha e zbatimit e cila parashihej të zgjaste tri deri në pesë vite dhe do të mbahej konferencë ndërkombëtare për statusin përfundimtar të Kosovës. Një formë e Dejtonit 2, përcjell lajmi.net.
Sipas gazetës serbe, sa i përket çështjes së ndarjes së Kosovës, Ljajiq ka thënë se është zgjidhje e mirë por e vonuar, pasi që sipas tij nëse do të kërkohej ndarja para vitit 1999 atëher shqiptarët do ta pranonin.
“Ndarja e Kosovës është një zgjidhje e mirë por e vonuar. Nëse dikush do ta kërkonte ndarjen e Kosovës para vitit 1999, besoj se shqiptarët do ta pranonin”, ka thënë Ljajiq.
Sipas tij, një pjesë e madhe e bashkësisë ndërkombëtare është kundër implikimeve negative të vendeve të tjera në rajon dhe ka shtuar se modeli i dy Gjermanive është i zbatueshëm në vetëm një segment.
“Ne pranojmë të mos e njohim veten, por ne duhet të vuajmë dhe të jetojmë krah për krah. Çdo gjë tjetër nuk është e zbatueshme sepse rrethanat ndërkombëtare janë të ndryshme”, ka theksuar Ljajiq.
Tutje, Ljajiq ka thënë se konflikti i ngrirë me Prishtinën është vetëm një shpresë populliste se mund t’i garantojë Serbisë pozicion më të mirë negociues, sipas tij mund të ndodh por pa ndonjë tregues real.
Ai ka theksuar se realiteti thotë se koha nuk është aleati më i mirë i Serbisë dhe rindërtimi i qeverisë duhet të jetë një realitet.
Ministri serb ka shtuar se përkrahësit e konfliktit të ngrirë janë të njëjtit me ata që dëshironin fitoren e Donald Trump në SHBA, duke pritur që Trump të kthej serbët në Kosovë. Ndërkohë,Trump ka fituar dhe politika amerikane nuk ka ndryshuar ndaj Kosovës, thotë gazeta serbe.
“Konflikti i ngrirë nënkupton ngrirjen e integrimeve tona evropiane, ngrirjen e investimeve të huaja, ngrirjen e reformave të brendshme dhe modernizimin e vendit”, ka thënë Ljajiq.