Sot, me rastin e festës së Fitër Bajramit, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi Bashkësinë Islame të Kosovës ku u prit nga kryetari i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava dhe drejtues të tjerë të kësaj bashkësie fetare, të cilët i uroi për festën e Bajramit dhe nëpërmjet tyre, të gjithë besimtarët islamë në Kosovë.
Kryetari Veseli tha se qytetarët tanë kanë qenë çdo herë solidarë dhe afër njëri-tjetrit, prandaj edhe janë shënuar suksese të mëdha, siç janë liria dhe pavarësia e vendit tonë.
Në këtë ditë, kreu i Kuvendit bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet midis njëri-tjetrin.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të vizitojnë njëri-tjetrin, të respektojnë njëri-tjetrin dhe të ndihmojnë familjet që janë në nevojë, në mënyrë të veçantë, familjet e dëshmorëve, të cilët dhanë gjithçka nga vetja e tyre”, tha Veseli.
Ai falenderoi myftiun Tërnava dhe nëpërmjet tij çdo imam anembanë Kosovës, të cilët po përçojnë mesazhin e paqes, të dashurisë dhe të respektit të ndërsjell.