“Vendimi për rritje të pagave nga ana a Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unë e ftoj ministrin e Financave Bedri Hamza që të mos e nënshkruaj këtë vendim pasi që ky vendim do ta dëmtojë shumë Kosovën”, tha Gërxhaliu.
Sipas tij, rritja e pagave për një pjesë të zyrtarëve shtetëror do të dëmtojë edhe më shumë sektorin privat, i cili në kohët e fundit po ndeshet me probleme të mëdha sa i përket gjetjes së fuqisë punëtore.
“Vendimi për rritje të pagave e dëmton Kosovën, në aspektin ekonomik, social, integrues, e më veçanti në aspektin psikologjik, është demotivues për të rinjtë”, tha Gërxhaliu për RTKLive.
Ai bëri me dije se në fillim kanë menduar se Qeveria do të merret më shumë në edukim, e zhvillim ekonomik dhe promovim të ndërmarrësisë vendore, por me vendimin për rritje të pagave është në kundërshtim të këtyre objektiva.
“Kjo e dëshmon edhe shqetësimin tjetër që sot më tepër mbrohen interesat e grupeve të caktuara sesa interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Safet Gërxhaliu.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, beson në profesionalizmin dhe etikën e ministrit Bedri Hamza dhe ai nuk do të nënshkruajë vendimin për rritje të pagave.
Ndryshe dje kryeministri Haradinaj ka kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza që të fillojë së ekzekutuari vendimin për rritjen e pagave për kryeministrin dhe vartësit e tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila vendosi që ky vendim i Qeverisë nuk paraqet shkelje kushtetuese.
Por, ministri Hamza ka abstenuar kur është votuar heqja e pezullimit të vendimit për rritjen e pagave.