Rezultatet e testit të maturës sivjet kanë qenë shumë më të mira, krahasuar me vitet e kaluara.
Kështu ka deklaruar ministri i MASHT, Shyqiri Bytyqi gjatë raportimit në Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Teknologji.
“Rezultatet e testit të maturës kanë qenë shumë më të mira gjatë këtij viti krahasuar me vitet tjera. Përkundër që është bërë publik nëpër rrjetet sociale kjo ka shkaktuar dëm shumë të vogël pasi që kjo ka ndodhë vetëm në një regjion pra në atë të Gjilanit. Pra, rikujtojmë se testi i maturës është ndarë në katër regjione dhe ka qenë i ndryshëm për secilin regjion”, ka thënë Bytyqi.
Ai më tej ka theksuar se janë marrë masa ndaj atyre që kanë bërë kopjime, duke përjashtuar 56 nxënës dhe se janë përjashtuar 8 administrator.
“Janë marrë masa ndaj atyre që kanë bërë kopjime dhe shpërndarje të testit. Janë përjashtuar nga testi 56 nxënës. Po ashtu janë përjashtuar edhe 8 administrator të cilët nuk kanë të drejtë më për të administruar testin e maturës”, ka shtuar më tej ai.
Më tej ai ka thënë se ka pasur përpjekje që testet të kopjohen dhe shpërndahen edhe në shtypshkronjë kur i kanë dërguar për t’i shtypur, mirëpo kjo gjë është parandaluar nga ana e tyre.