Organizata Iniciativa për Progres INPO ka publikuar raportin “Indeksi i kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë”, me c’rast është pasqyruar se 41.89 përqind e qytetarëve të Prishtinës janë të kënaqur apo shumë të kënaqur me punën e kryetarit të komunës Shpend Ahmeti.
24.69 përqind e qytetarëve që janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me punën e kreut të kryeqytetit.
“Ky raport është mbështetur në 15 fusha të shërbimeve komunale. Për të gjitha shërbimet është bërë matje përveç shërbimeve sociale. Cilësia e arsimit, aktivitetet sportive, gjendja dhe mirëmbajtja e rrugëve, trotuaret, parkingjet, hapësirat gjelbëruese janë disa nga shërbimet komunale që janë të përfshira në këtë raport”, tha ajo. Ndërsa, hulumtuesi i INPO Shpend Mustafa bëri të ditur rezultatet e anketës, i cili tha se mesatarja aritmetike e kënaqshërisë me të gjitha shërbimet komunale është 39.81 përqind e qytetarëve, ndërsa e pakënaqshmërisë 31.13 përqind.
“Pak më shumë se gjysma e prishtinasve janë të kënaqur apo shume të kënaqur me shërbimet shëndetësore që ofrohen nga QKMF-ja, QMF-të dhe ambulancat shëndetësore. Vetëm 19.53 përqind e qytetarëve janë deklaruar të pakënaqur apo shumë te pakënaqur”, tha ai.
Mustafa bëri të ditur se 45.94 përqind e qytetarëve janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur ne gjendjen e rrugëve, respektivisht me cilësinë e asfaltit dhe gjerësinë e rrugëve. “Mungesa e parkingjeve publike është reflektuar ne nivel të lartë të pakënaqëshmërisë së qytetarëve të Prishtinës. 78 përqind e tyre shprehen të pakënaqur apo shumë të pakënaqur me kapacitetin aktual të parkingjeve publike”, tha ai.
Sekretarja e Përgjithshme në MAP Rozafa Ukimeraj, vlerësoi lart raportin duke thënë se është i vlefshëm për të paraqitur kënaqësinë e qytetarëve me shërbimet komunale. “Në bazë të vlerësimit të përgjithshëm të vitit 2016 komuna e Prishtinës ka qenë në dhjetëshen e komunave me performacën më të mirë, ku është ranguar e gjashta. Ndërsa sa i përket vitit 2017 komuna ka treguar një performancë të lartë në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ujit të pijshëm”, tha ajo.
Kurse, drejtori i Administratës në komunën e Prishtinës Muhedin Nushi, tha se kënaqshmëria e qytetarëve është shume e lartë për shërbimet e administratës dhe të shëndetësisë. Sipas tij, kjo si rrjedhojë që në qeverisjen e kaluar janë marrë më shumë për këto dy fusha. Ai pati një vërejtje për raportin që nuk është marrë edhe me cilësinë e ajrit në Prishtinë, ku ai tha se kanë ndërmarrë disa aktivitete që kanë ndikuar pozitivisht në këtë aspekt.