Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Liri Loshi, ka ngritur çështje të dyshimta për keqpërdorime me paratë e Kosovës gjatë bisedimeve që janë zhvilluar dhe po vazhdojnë me Serbinë.
Ai ka thënë se bisedimet me Serbinë i kanë kushtuar Kosovës më shumë sesa lufta çlirimtare kundër saj.
Sipas tij, nga këto bisedime ka njerëz që kanë kursyer mijëra euro. Madje ai thotë se dikush me ato para bleu makinë, banesë, u martua për së dyti.
“Nga këto bisedime dikush ka kursyer në llogaritë e tyre bankare dhjetëra mijëra euro, dikush mbi njëqind mijë euro e dikush ka blerë makinë të shtrenjtë, është martuar për së dyti, ka blerë banesë, apo ka ndërtuar ndonjë kat shtëpie në Prishtinë. Të tillët duan që përsëri ta bëjnë delegacionin e Kosovës dhe duan që ato bisedime të zgjasin pafundësisht”, ka shkruar tutje Loshi.
Kërkesa e tij ndaj deputetëve është që t’ua pamundësojnë këtyre zyrtarëve keqpërdorimet e tilla, transmeton insajderi
“A ka mundësi që deputetët t’ua bëjnë të pamundshme këtyre zyrtarëve të pafytyrë që të pasurohen edhe më tej në fatkeqësinë e Kosovës”, kërkon ai.
“Se fatkeqësia numër një është ta kesh Serbinë kojshi, kurse fatkeqësia numër dy është që bisedimeve me Serbinë t’u prijnë njerëzit që për qëllim kanë jo stabilizimin e raporteve me të, as stabilizimin e shtetit të Kosovës, por vetëm stabilizimin e tyre financiar”, ka përfunduar ai.