Ashtu siç pritej, Prishtina ka prezantuar dy përforcimet e radhës, që vijnë nga Gjilani.
Qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi dhe mbrojtësi i djathtë, Armend Thaqi, kanë nënshkruar kontrata me bardhekaltërit.
“Vendosa të rikthehem për shkak kushteve të ofruara dhe normalisht pjesëmarrja në Kupat e Evropës. Prishtina ka qenë, por sidomos tash, do të jetë ekip jashtëzakonisht i mirë. Pres të vazhdoj me paraqitje të mira. Skuadra ka trajnerë që është e tepërt të flasim çka do më shumë, sepse ai është dëshmuar edhe në Kupat e Evropës dhe kuptohet së bashku për qëllim kemi që ekipi të ketë paraqitje sa më të mirë në Evropë dhe të rikthejmë titullin e kampionit”, ka thënë Thaqi.
“Po ashtu jam shumë i kënaqur që me mua është bashkuar edhe mbrojtësi e bashkëlojtari im Leotrim Bekteshi me të cilin kam kaluar 2 vite fantastike me të. Është djalë shembullor, profesionist i vërtet dhe shpresoj shumë që do të vazhdoj edhe me Prishtinën formën përformancën e lartë që ka tregu me Gjilanin”, ka mbyllur prononcimin, Armend Thaqi.
Edhe Bekteshi u shpreh i lumtur që do të luajë për Prishtinën.
“Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshje për dy vitet e ardhshme me Prishtinën. Besoj shumë se do të arrijmë objektivat e klubit e që dihen cilat janë, gjithmonë vetëm trofetë. Jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara dhe premtoj që do të jap njëqindpërqindtë nga vetja që të shpërblej besimin e ofruar”, ka thënë me rastin e prezantimit me fanellën bardhekaltër, Leotrim Bekteshi.