Vukotiq akuzohej lidhur me veprat të cilat kanë të bëjnë me krimet e bëra në fshatin Studime e Epërme dhe e Poshtme dhe trajtimet çnjerëzore dhe torturat e bëra ndaj të burgosurve në burgun e Smrekonicës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Zoran Vukotiq në mes të datave 2 dhe 3 maj 1999, në kapacitetin e tij si zyrtar policor rezervist nga stacioni policor në Vushtrri, në bashkëpunim me persona të tjerë nga radhët e forcave serbe, ka marrë pjesë në sulmin ndaj popullatës civile shqiptare e cila po udhëtonte në kolonë nga fshati Studime e Poshtme në Studime të Epërme.
Në vazhdim të aktakuzës thuhej se gjatë kësaj kohe, popullata civile në mënyrë të qëllimshme u është nënshtruar vrasjeve brutale dhe të paligjshme, trajtimit johuman, vuajtjeve të pafundme, dëbimit si dhe aplikimit të masave të terrorit.
Bazuar në aktakuzë në mesin e këtyre civilëve të vrarë, plagosur dhe të trajtuar në mënyrë johumane për çfarë i pandehuri Zoran Vukotiq mban përgjegjësi, janë, Ekrem Mullaku, Xhavit Mullaku, Fatmir (Ahmet) Gërxhaliu, Eshref Rashica, Adnan Bunjaku, Rrahmon Ademi, një 14 vjeçar i paindentifikuar, Haki Ademi, Shaip Gërxhaliu, Musa Gërxhaliu, Bajram Gërxhaliu, Bahrije Gërxhaliu dhe Avdi Gërxhaliu.
Ai gjithashtu akuzohej se në periudhën maj deri në fillim të qershorit 1999, si një rezervist në stacionin policor në Vushtrri, si një roje burgu, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në paraburgimin e paligjshëm të një numri të madh të civilëve shqiptarë në burgun e Smrekonicës në rajonin e Mitrovicës, gjatë së cilës periudhë këta civilë iu ekspozuan qëllimisht trajtimit çnjerëzor, vuajtjeve të mëdha, torturave dhe rrahjeve për të cilat i akuzuari Zoran Vukotiq mban përgjegjësi personalisht.
Kurse i akuzuari Vukotiq gjatë dhënies së mbrojtjes së tij deklaroi se asnjëherë nuk kishte qenë në Studime.
“Nuk kam qenë asnjëherë në Studime as para as gjatë dhe as pas bombardimeve. Hera e parë që e kam parë se ku ndodhet Studimja ka qenë dita kur prokurori e paraqiti këtu hartën dhe me gisht tregoi se ku ndodhet. Sa i përket burgut të Smrekonicës dëshmitarët kanë dëshmuar për rrahjen e njerëzve derisa muzika ka qenë duke luajtur dhe ka pasur grill në atë mënyrë ata donin që të ngritin paralele dhe ta bënin burgun e Smrekonices të barabartë me kampet famëkeqe“, u shpreh Vukotiq.
Pak ditë më parë në këtë Gjykatë ishte shpallur aktgjykimi lirues ndaj Zoran Vukotiq lidhur me tri pikat e aktakuzës, të cilat e ngarkonin të akuzuarin për vrasjen e katër shqiptarëve në qytetin e Vushtrrisë. /Kallxo.com