Ministri i Bujqësisë Nenad Rikalo edhe më tutje vazhdon të jetë pronar dhe person i autorizuar në biznesin e tij “Future System”, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet ndaj ministrit Rikalo.
Në fillim të javës që vjen përmes një shorti do të përzgjidhet prokurori i cili do ta hetojë ministrin aktual të Bujqësisë Nenad Rikalo, që pavarësisht emërimit në këtë pozitë të lartë politike ai edhe më tutje vazhdon të jetë pronar dhe person i autorizuar në kompaninë e tij “Future System”, e cila të gjitha aktivitetet e saj i ka në sektorin e bujqësisë.
“Ju njoftoj se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar një lëndë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me këtë rast. Lënda së shpejti do t’i ndahet një prokurori të kësaj prokurorie për trajtim të mëtutjeshëm”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Prokurorisë.