Ky është një rrëfim dhe gjykim i bazuar në përvojën personale. Secili që ka fatin qoftë si viktimë apo i akuzuar në duart e gjyqtarit, Rrustem Begolli, ai thjeshtë është një fatkeq. Prej tij pritet që kriminelin ta shpallë të pafajshëm, e të pafajshmin ta dënojë me burg.
Atë e njoh prej shumë vjetësh: unë në cilësi të gazetarit të ri në moshë dhe zanat, e ai në cilësi të praktikantit të moshuar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë. Bartte shkresa të gjyqtarëve nga një zyrë, në zyrën tjetër.
Ky gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, kishte gjykuar me katër muaj burgim me kusht banditin, Fitim Thaçi i cili me pati sulmuar fizikisht në qendër të Prishtinës, pak ditë pas publikimit të hulumtimit për mashtrimet e deputetit, Milaim Zeka.
Çfarë kishte ndodhur ditën e gjykimit dhe çfarë thuhej në atë aktgjykim?
Unë si palë e dëmtuar – viktimë e një sulmi banditesk dhe kriminal i shtyrë nga banditë të lidhur me politikën nuk isha i informuar për këtë.
Diku kah mbrëmja mora vesh se gjyqtari, Rrustem Begolli kishte hapur seancën e shqyrtimit kryesor dhe e kishte shpallur aktgjykimin: Në emër të popullit, ai e kishte gjykuar më katër muaj burgim me kusht një bandit që shoqërohet me politikanët kryesor të vendit për sulm fizik me lëndime trupore mbi një gazetar.
Çfarë të lexoje në të?
Po mos të shihej haptazi anësia, ky gjyqtar do ta kishte shpallur të pafajshëm banditin, Fitim Thaqi.
Atë e përshkruante si familjar të mirë; në gjendje të rëndë ekonomike; të penduar thellësisht për krimin; të pagjykuar dhe dënuar ndonjëherë; se nuk do të përsëriste vepër tjetër penale.
Mbi këtë bazë dhe “këto cilësi” të z. Thaqit, aktgjykimi nuk peshonte më shumë sesa katër muaj burgim të kushtëzuar.
Kështu, Fitim Thaqi tashmë ishte një i dënuar me kusht dhe i lirë.
Javën e kaluar më ra të lexoj diçka tjetër nga puna e këtij gjyqtari, pra Rrustem Begollit. Jo më i butë si me Fitim Thaqin, por i ashpër si asnjë gjyqtar tjetër. Ai e kishte gjykuar dhe dënuar fiks me katër vjet burgim, Kujtim Bucalinë – menaxherin e kompanisë HIP Petrol.
Sipas Rrustem Begollit, Kujtim Bucaliu dhe HIB Petrol shpk, me vetëdije kanë mashtruar blerësin, Komunën e Prishtinës duke vepruar në kundërshtim me kontratën, duke vënë në qarkullim produktin e naftës që nuk i përgjigjet konformitetit lidhur me lëndët djegëse me ç’rast i kanë shkaktuar Komunës së Prishtinës dëm në vlerë të madhe.
Kujtim Bucaliu u dënua me dënim unik, prej 4 vjet burgim si dhe dënim me gjobë në vlerë 15 mijë eurove..
Ndërsa përfaqësuesit juridik të HIB Petrol shpk, Shkelzen Hetajt gjykata i shqiptoi dënim unik me gjobë në vlerën prej 30 mijë euro.
Gjykata po ashtu kishte vendosur që të konfiskohet edhe autoboti për naftë pronë e kompanisë HIB Petrol shpk që furnizoi me naftë jocilësore.
Bucaliu, u dënua për shkak të pretendimit se nuk ka ofruar naftë cilësore për ngrohje siç parashihej me kontratë.
Pa paragjykuar fajësinë apo pafajësinë e Bucaliut, fati i keq i tij ishte gjykimi nga ky gjyqtar dhe shenjëstrimi i rastit të HIP-it në mesin e 40 rasteve të korrupsionit për liberalizimin e vizave.
A mund t’i besohet gjykimit të këtij gjyqtari?
Unë për vete jo. Kam përvojë personale me të. E di se është gjyqtar i ndikuar nga politika dhe interesat e jashtme. Si i tillë ai gjykoi me katër muaj burgim me kusht, Fitim Thaqin. Kësisoj, ai është një gjyqtar i korruptuar profesionalisht dhe i ndikuar politikisht.
Duke pasur përvojë personale me këtë gjyqtar, unë nuk i besoj as në rastin e Kujtim Bucaliut. Dënimi prej katër vjet burgim unik, është një nga dënimet më të rënda të shpallura nga gjykatat vendëse për vepra të tilla penale.
Si vegël në duar të politikës, gjyqtari Begolli nuk ka ndarë drejtësi, por është bërë pjesë e një pazari multimilionësh. Duke shpallur një aktgjykim të tillë kaq të rëndë, gjyqtari Begolli u ka hapur rrugën sekserëve të politikës që t’i afrohen të pandehurit për t;i zhvatur miliona euro në këmbim të lirimit nga dënimi në Gjykatën e Apelit.
Rruga e aktgjykimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës, në atë të Apelit është shumë e shkurtër. Pesha e dosjes mund të jetë milionëshe. Dikush, po përpiqet të përfitojë nga HIB-i. Pjesë e këtij skenari s’ka se si të mos jetë gjyqtari i korruptuar profesionalisht dhe i ndikuar politikisht, Rrustem Begolli.
Drejtësia në Kosovë nuk matet më me peshën e provave. Ajo matet me para dhe ndikime politike. Një ndër dërhemit e peshores së drejtësisë është gjyqtari, Begolli.
Për mua, ai është në anën e krimit dhe në anën e atyre që paguajnë më shumë.