Para një viti Devollët thanë se kishin vendosur që të mos ia marrin PTK-së 32 milionë eurot e Arbitrazhit në këmbim të një marrëveshje të re, që ishte po aq favorizuese për “Z-Mobile”, por tash po e kërkojnë borxhin. E, nëse nuk jepen për 15 ditë, ata paralajmërojnë se do të fillojë kamata e lartë ndaj Telekomit.
Në një letër të siguruar nga Gazeta Express, të cilën Z-Mobile ia ka dërguar Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, thuhet se kompania e Devollëve ka vendosur ta shkëpusë kontratën e nënshkruar më 24 maj pasi aludojnë se Telekomi nuk i ka përmbushur obligimet që ka pasur sipas kësaj kontrate.
Kaq zgjati ajo që Agron Mustafa, ish-kryeshef ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, bashkë me menaxhmentin e Z-Mobile, e kishin thënë në konferencën e 24 majit të vitit të kaluar, kur Devollët kishin vendosur të dalin si biznesmenë zemërmirë që nuk donin ta dëmtonin kompaninë më të madhe publike.
Kontrata që po kërkohet të shkëputët nga Z-Mobile ishte nënshkruar pasi Gjykata e Arbitrazhit vendosi në favor të Z-Mobile-it, duke obliguar Telekomin e Kosovës t’ia paguajë 32 milionë euro për mosrespektim të marrëveshjes. Më tej, palët vendosën që të bëjnë një marrëveshje të dytë, përmes të cilës Telekomi e Z-Mobile dakordoheshin të mos paguhen 32 milionë eurot, por obligonte Telekomin që deri në vitin 2023 t’i ofronte Z-Mobile-it shërbime të pakufizuara.
Edhe marrëveshja e dytë, që u nënshkrua më 24 maj të 2017-s, ishte tejet favorizuese për Z-Mobile. Ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa, kishte dalë në një konferencë bashkë me Blerim Devollin, ku pohonin se kishin vendosur të shpëtonin Telekomin me një marrëveshje të re, por në të vërtetë u mësua se “Kontrata e Shpëtimit” në të vërtetë ishte veçse një mundësi tjetër e përfitimit enorm të Z-Mobile.
T’i jepen Z-Mobile-it 32 milionë eurot ose t’i shërbehej me të gjithë kapacitetet e Telekomit, madje deri në vitin 2023. Këto ishin dy zgjedhjet që Menaxhmenti i Telekomit kishte vendosur para vetes, pasi humbi në arbitrazh, e që secila më e dëmshme se tjetra.
Tashmë kur Telekomi është gjunjëzuar, Devollët kanë vendosur të kthehen te vendimi i Arbitrazhit. Z-Mobile ia kërkon Telekomit 32 milionë euro, madje me një ultimatum prej 15-ditëve. Z-Mobile kërkoi që brenda këtij afati kohor t’i jepet borxhi i caktuar nga Arbitrazhi, ndërsa të zbritet borxhi i paguar. Edhe më tutje ka paqartësi në atë se sa i janë paguar Z-Mobile-t. Mustafa ka thënë se nuk është paguar ndonjë borxh, ndërsa Express mëson se “Z-Mobile”-it i janë dhënë 8 milionë euro.
Në letrën e “Z-Mobile” thuhet se zyrtarët e kësaj kompanie i kanë dërguar disa kërkesa Telekomit fillimisht për 7 mijë licenca (numra) për 4G, më pas për 20 mijë licenca. Fillimisht Z-Mobile pohojnë të kenë marrë paralajmërim nga Telekomi për kufizim të operimit për shkak të mungesave të licencave të 4G. Tutje thuhet se më Telekomi nuk i është përgjigjur kërkesave të Z-Mobile.
Gjatë këtij viti trysnia ndaj Telekomit duket të mos munguar. Numri i licencave të kërkuara vetëm se është rritur, ndërsa Telekomi ka vazhduar të premtojë dhe të tregojë se kompania është në gjendje të vështirë financiare e s’po mund t’ia përmbushë kërkesat e njëpasnjëshme Z-Mobile-it.
Në letrën e këshilltarit ligjor të Z-Mobile thuhet po ashtu se kjo kompania ka marrë disa premtime nga Telekomi dhe disa data në të cilat do të kryejnë obligimet që kishin nga Z-Mobile lidhur me licencat 4G dhe se vonesat po ndodhin për shkak të gjendjes së rëndë financiare të Telekomit. Këtë Z-Mobile nuk e pranon si arsyetim.
Gjendja e vështirë financiare e Telekomit nuk pranohet si arsyetim nga kompania e Devollëve pasi thonë se kërkesat e tyre do të mundë të realizoheshin me 30 mijë euro të cilat Telekomi do të mundë t’i merrte kredi nga banka.
“Blerja e licencave të kërkuara bartë koston shumë të vogël, 30,000.00 euro, pra një shumë jomateriale, e cila edhe sikur të mos jetë e disponueshme për momentin, mund të sigurohet nga secila bankë pa kolateral”.
Edhe pse e njëjta kontratë, para saktësisht një viti thuhej se po bëhet pasi Devollët nuk duan ta rëndojnë më shumë gjendjen e Telekomit, e cila e kishte ta pamundur t’i jepte 32 milionë euro, tash Z-Mobile nuk interesohet për gjendjen e kompanisë publike dhe do të kthehen në pikën kur Arbitrazhi gjobiti Telekomin.
Kërkesën për shkëputje të kontratës Z-Mobile e ka bërë më 26 prill të këtij viti, ndërsa ka dhënë ultimatum që borxhi t’i paguhet brenda 15 ditëve. Nëse borxhi s’i jepet, siç edhe nuk i është dhënë, Telekomit i rëndohet barra nga kamatat e larta.
“Në rast të vonesës në pagesë do të kalkulohen kamatvonesat ashtu sikur janë paraparë në Vendimin e Arbitrazhit”, thuhet tutje në letrën e Z-Mobile. /Express/