Spitalet rajonale të Kosovës kanë mungesë të kuadrove mjekësore. Megjithatë në konkursin e fundit të shpallur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ditë më parë për pranimin e mjekëve specialistë, këta të fundit nuk kanë shprehur interesim për t’u punësuar.
Në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, ishin kërkuar 2 kirurgë të përgjithshëm, derisa nuk ka pasur asnjë kandidat.
Po ashtu, edhe në spitalin e Mitrovicës nuk kishte të interesuar të aplikojnë për punësim si specialist të Neurologjisë, Otorinolaringologjisë, sikurse që nuk kishte interesim edhe për specialistë për punësim në repartin infektiv të këtij spitali, aty ku edhe ka mungesë të mjekëve.
Në spitalin e përgjithshëm të Gjakovës, ndonëse ishte kërkuar një specialist i Otorinolaringologjisë dhe specialist të radiologjisë, as këtu nuk kishte aplikantë.
Ahmet Asllani, drejtor i spitalit të Gjakovës, tha për REL se mungesa e mjekëve specialist të fushave të caktuara është shumë e madhe.
Por, mjekët specialistë, siç thotë zoti Asllani, duket se cak i kanë vendet e Bashkimit Evropian, për të kërkuar punë dhe kushte më të mira.
Ai theksoi faktin se edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës mbetet si një ndër vendet ku mjekët specialistë dëshirojnë të punësohen.
“Kemi deficit në disa reparte, për shembull në oftalmologji, e që është vetëm një mjeke 62 vjeçare. Kemi hapur konkurs, për oftalmolog për ORL dhe rengenologjisë. Ende është i hapur konkursi dhe asnjë kandidatë nuk ka konkurruar”.
“Në repartin e ORL janë dy mjekë dhe njëri është mbi moshën 63 vjeçare. Mendoj se çdo repart duhet t’i ketë nga 5 mjekë specialist dhe të punohet me kujdestari pasi aty japim shërbime për shumë pacientë jo vetëm për Gjakovën, por edhe gjithë rrethinën. Siç duket, gjeneratat e reja po ikin jashtë Kosovës, dhe tjetra është se po kanë më shumë dëshirë të punojnë në QKUK”, tha Asllani.
Në anën tjetër, Shpend Fazliu, zyrtar për informim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tha se në konkursin publik të shpallur nga ana e këtij institucioni për vende të lira pune, janë paraparë 22 profile të ndryshme mjekësore, ku u kërkuan 28 specialistë, në kuadër të Spitaleve të Përgjithshme,
Por siç thotë ai, interesimi i mjekëve ka qenë i pamjaftueshëm, edhe pse ekzistojnë vendet e lira të punës të aprovuara në buxhetin e vitit 2018.
“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e specialistëve, por nuk ka pasur interesim për spitalet regjionale çuditërisht. Ne si shërbim spitalor ftojmë të gjithë specialistët që janë të pa punë që të aplikojnë dhe të plotësojmë vendet e punës për të cilat ka edhe buxhet për vitin 2018, dhe tu ndihmojnë qytetarëve në nevojë të atyre regjioneve”, tha Fazliu.
Drejtori i spitalit të përgjithshëm të Mitrovicës, Hamëz Berisha i tha Radios Evropa e Lirë se ndonëse kanë nevojë për mjekë specialist të lëmive të caktuara, dhe konkursi ishte shpallur nga ana e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar, as në spitalin që ai udhëheq nuk ka pasur mjekë specialist të interesuar për punë.
“Konkursi është shpallur për nevojat që ne I kemi për repartin e pulmologjisë ate të neuroligjisë si dhe infektivë. Por nuk ka pasur konkurentë”.
“Kohë më parë kemi pranuar specialist dhe tashmë janë funksionalizuar shumë reparte, por që Infektiva, Pulmologjia dhe Neurologjia kanë mbetur pa mjekë të mjaftueshëm”.
“Për ata specialistë që kanë qenë të pa punë dhe ne kemi pasur nevojë, kemi shpallur konkurs dhe I kemi pranuar ata mjekë. Por, këtë herë këta specialistë, pra të ktyre lëmive, nuk kanë konkuruar. Ndërkaq tash për tash ne kemi nga neurologjia dy mjekë derisa në këto dy reparte tjera nga një, derisa të tre repartet kanë nevojë për nga tre mjekë specialistë të këtyre lëmive, pasi është ngarkesë e madhe”, tha Berisha.
Sidoqoftë, Ligji i punës nuk i obligon mjekët specialistë që të punojnë aty ku ka mungesë por e lë mundësinë e zgjedhjes se ku ata dëshirojnë dhe mund të punësohen. Ky ligj nuk lejon që një mjek që ka kontratë pune me një institutcion publik shëndetësorë të aplikojë edhe në ndonjë spital regjional.