Të premten e javës së kaluar, Delegacioni i Bashkimit Evropian ka zhvilluar një takim me Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, një prej ministrive që lidhet ngushtë me mundësinë që kosovarët të udhëtojnë pa viza në zonën Shengen.
Tahiri ka biseduar bashkë me Simon Mordue, zëvendësdrejtor gjeneral në Drejtorinë e Përgjithshme për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, të cilët kanë mision të bëjnë vlerësimin e përmbushjes së kriterit të fundit për luftë kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit.
Është deklaruar se në këtë takim delegacioni është njoftuar për punën që është bërë në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, ndër to ajo për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministri Tahiri, ka deklaruar për Indeksonline se gjatë këtij takimi ka bërë një prezantim të masave ligjore të cilat fuqizojnë luftën kundër korrupsionit.
Sipas tij, përfaqësuesit e këtij misioni janë ndarë shumë të informuar mbi angazhimin institucional për të avancuar tutje në fuqizimin e shtetit të së drejtës, si obligim ndaj qytetarëve, që sipas tij reflekton drejtpërdrejt në procesin e liberalizimit të vizave.
“Takimi me Misionin Vlerësues ishte një takim jashtëzakonisht përmbajtjesor dhe siç edhe kam pritur, një mundësi e mirë për të ndarë me Bashkimin Evropian, të arriturat tona në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si nga perspektiva e zbatimit të ligjit ashtu edhe nga perspektiva e politikave legjislative. Gjatë takimit, kam bërë një prezantim të masave tona ligjore që janë pjesë e agjendës time legjislative për këtë vit, ku kam përshkruar ndryshimet e propozuara që kanë zënë vend në Kodin Penal, Kodin e Procedurës Penale, Pakon e Ligjeve të Gjyqësorit, Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit dhe ligjet që kanë qenë obligim nga Agjenda e Reformave Evropiane, e të cilat fuqizojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. I njoftova përfaqësuesit e BE-së se në rrafshin legjislativ janë duke zënë vend edhe rekomandimet e dala nga Raporti i Progresit i vitit 2016, Raporti i Vendit i këtij viti, Agjenda e Reformave Evropiane si dhe Strategjia e BE-së për Zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Tahiri.
Kreu i drejtësisë është pyetur lidhur me atë se kur pritet të bëhet publik raporti i këtij delegacioni që javën e shkuar vizitoi Kosovën. Sipas Tahirit raporti nuk do të vonojë më shumë se sa në fillim të muajit qershor.
“Aspekti organizativ i hartimit dhe publikimit të raportit është çështje e Bashkimit Evropian, megjithëse jam i bindur se nuk do të vonojë më shumë se sa fillimi i muajit qershor. Megjithatë, pavarësisht kohës së publikimit të rekomandimeve, mund të them me përgjegjësi të plotë se institucionet tona nuk janë zënë në befasi nga ky ekip vlerësues dhe se kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme se gatishmëria e Kosovës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar është në një shkallë jashtëzakonisht të lartë, e që manifestohet në shumë dimensione”, ka shtuar Tahiri.
Ministri i Drejtësisë, Tahiri ka deklaruar se vizita e delegacionit më shumë ishte një mision fakt-mbledhës se sa konstatues dhe se sipas tij nuk ka pasur qëndrime zyrtare të shprehura nga misioni vlerësues, por që takimet janë zhvilluar në frymën e një qasje pozitive drejt liberalizimit të vizave, si alternativë faktike.
“Ne jemi ndjerë shumë të inkurajuar nga takimet tona si institucione dhe konsideroj se puna jonë do të reflektohet në rekomandimet e këtij misioni. Jam i bindur se përpjekjet tona të vazhdueshme dhe nismat ligjore që kanë për qëllim arritjen e një standardi të avancuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, do të marrin kredencialet e veta nga ana e Bashkimit Evropian, e rrjedhimisht, qytetarët tanë do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm në zonën Shengen brenda këtij viti”, ka përfunduar ministri Tahiri.
Kosova vazhdon të jetë vendi i vetëm në Evropë pa të drejtë lëvizje të lirë në zonën Shengen.