Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti është shprehur i shqetësuar pas raportimit të mediave lidhur me dorëzimin e disa dëshmive nga ana e deputetit nga radhët e LDK-së Anton Quni, në administratën e Kuvendit të Kosovës, përmes të cilave sipas tij argumentohet se janë marrë 8 milionë marka nga Qeveria e Bujar Bukoshit.
Haliti ka kërkuar nga Quni, që të sqarohet për media se dokumentet e dorëzuara në Kuvend nuk kanë të të bëjnë me 8 milionë marka.
“Thuaju mediave që të mos thonë gënjeshtra se ju keni dorëzuar sot dëshmi që unë kam marrë 8 milionë marka”, tha ai, duke përsëritur “thuaju ose po i publikoj edhe unë letrat”.
Pas këtij reagimi, deputeti Quni e ka marrë fjalën duke thënë se dokumentet e dorëzuara argumentojnë se ato para janë dhënë për të, në emër të UÇK-së ashtu siç janë kërkuar.
“Unë kam dorëzuar dëshmi ku figurojnë vula për paratë e dhëna. Janë më shumë se 8 milionë marka”, tha ai.
Ende pa përfunduar fjalën e tij ka replikuar Haliti duke thënë se nuk ndihet përgjegjës për ato mjete financiare.
“Unë jap llogari vetëm për ato që i kam marrë”, duke aluduar në atë se ka qenë një vlerë me e vogël e parave, jo aq sa pretendon deputeti Quni.