Më poshtë tregohet se si Hoxha mbante një sozi të tijin, nga frika se mund të binte pre e atentateve.

Një shembull i dyshimeve që rrethonin Hoxhën është përdorimi i raportuar i një sozie që ishte bërë të dukej identik me udhëheqësin.

Një histori e tillë tregohet nga Loyd Jones në librin e tij të udhëtimeve, ku pretendohet se një dentist i quajtur Petar Shapallo luante rolin e Hoxhës në shumë funksione zyrtare, duke ulur rrezikun e atentatit ndaj Enver Hoxhës.

Jeta e fshehtë që jetonte Shapallo tregohet nga këto udhëzime që ai merrte për detyrën e tij: Shapallos i ishte thënë të favorizonte këmbën e majtë kur ecte. Në rast të takimeve të paplanifikuara me publikun ai udhëzohej të fliste për kujtime të fëmijërisë. Ai duhet të niste duke shikuar në largësi dhe duke thënë: “Kur kam qenë i vogël …”.

Shapallo ishte një sozi perfekte për Hoxhën. Kur udhëheqësi mbante dietë edhe ai binte në peshë, linja e flokëve të tyre rrallohej njëlloj, ndërsa kur udhëheqësi kishte ndrydhur këmbën, edhe Shapallo çalonte.

Edhe në film Shapallo ishte si një hije e ngadaltë e Hoxhës që ia bënte me dorë turmave, ose kur ndalonte për të marrë lule nga një vajzë e vogël.

Është e thjeshtë të kuptohet se nëse kjo histori është e vërtetë, jeta e Shapallos ka qenë një ferr, megjithëse në sipërfaqe jetonte në bllokun e veçantë të udhëheqjes në Tiranë.

Të gjitha të dhënat nga jeta e mëparshme personale e Shapallos ishin zhdukur dhe këtu përfshiheshin vdekja e prindërve, e kirurgut plastik, e njerëzve të tjerë që e njihnin, të cilët raportohet se kishin pësuar vdekje në aksidente misterioze.

Një tjetër teori në lidhje me gjendjen mendore të Enver Hoxhës ishte dhe ajo e psikiatrit shqiptar Afrim Dangëllia, në artikullin e tij “Personaliteti paranojak i një diktatori” në 22 gusht 1991 në gazetën “Republika”.

Duke vlerësuar gjendjen e Hoxhës, Dangëllia thotë se “Hoxha ishte një pranoja i tipit të Hitlerit, Stalinit, Çauçeskut dhe Sadam Hysein”.

Shumë njerëz të intervistuar përmendin ngjashmërinë e Hoxhës me Hitlerin.

Ekonomisti Aleksandër Dholo thotë se e konsideron Hilerin një forcë pozitive në Gjermani deri në vitin 1941 pasi mendoi për rindërtimin e Gjermanisë, ndërsa më vonë donte të kontrollonte të gjithë botën, çka çoi në shkatërrimin e Gjermanisë.

Paralelizmi që bën Dholo mes Hitlerit dhe Hoxhës konsiderohet nga shumë si i dështuar, por gjithsesi Dholo beson se Hoxha e transformoi Shqipërinë dhe konsolidoi territorin dhe sovranitetin e saj.

Nimete Minga, një gjeologe 31-vjeçare është një tjetër person i intervistuar që pranon efektet pozitive të regjimit të Hoxhës, duke arsyetuar se Shqipëria kishte nevojë për një lider të fortë pasi zhvillimi i mëparshëm ishte shumë i dobët.

Hoxha ashtu si Hitleri e pranon se në fillim të regjimit të tij ka përdorur metoda të dyshimta, por ia doli të ndryshonte shoqërinë e Shqipërisë duke e nxjerrë nga prapambetja e thellë.

Ndër një nga elementët që ndikojnë në natyrën negative të regjimit të tij ishte kushtetuta e vitit 1976, e cila zyrtarizoi dogmat e vetë-mjaftueshmërisë dhe izolimin e vendit.

Nga të gjithë elementët e shoqërisë shqiptare të këtyre viteve, kushtetuta ishte padyshim më dëmtuese.

Lidhja me Stalinin

Hoxha ishte padyshim një stalinist, por i një tipi të veçantë. Prova të devotshmërisë së tij ndaj Stalinit gjenden në shumë libra, fjalime e artikuj të tij.

Në një prej tyre ai thotë: “Stalini nuk ishte as tradhtar i marksizëm-leninizmit dhje as kloun cirku. Ai ishte një leninist i vërtetë që fliste pak e bënte shumë për Bashkimin Sovjetik dhe për revolucionin. Kur Stalini fliste, borgjezia dhe imperialistët nuk duartrokisnin por hiqeshin sikur qeshnin, në fakt ata dridheshin nën lëkurë”.

Një nga përshkrimet më tipike për Stalinin gjendet në librin e Hoxhës “Me Stalinin” ku ai thotë: “Ai ishte revolucionari më modest, më i ditur dhe më i dashur, një marksist i madh. E donte me gjithë zemër popullin sovjetik dhe i dedikonte të gjithë energjitë, punën e zemrën. Në çdo bisedë që kam pasur me të si në ato më të thjeshtat deri te ato më të në rëndësishmet, cilësitë e tij dilnin gjithmonë në pah”.

Nga njëra anë Hoxha ishte një stalinist në sensin e aplikimi të zbatimit të rreptë të politikave të centralizimit të pushtetit dhe ekonomisë që e mbanin të ngulitur në pushtet, por nga ana tjetër nuk ishte stalinist pasi ndryshe nga ai ishte i lexuar dhe i kulturuar.

Hoxha kishte gjithashtu shumë më tepër kontakte me njerëzit se Stalini, ai ishte një folës i mirë dhe i aftë të diskutonte si me intelektualët dhe me fshatarët.

Këto kombinime të pazakonta arriheshin prej faktit që ishte i studiuar dhe i pashëm. Ai kishte brutalitetin të njëjtë me Stalinin por nuk e tregonte në fytyrë.

Hoxha ishte karizmatik dhe këto aftësi e bënin atë njaq udhëheqës të fuqishëm.

Një sondazh i nisur nga prilli 1994 mbi rolin e Hoxhës në Shqipëri dhe rezultate të papritura dhe dëshmonte për efektin e udhëheqësi ka pasur mbi psikologjinë e njerëzve të vendit.

Çdo intervistë fillonte duke kujtuar faktin që është përvjetori i vdekjes së Hoxhës dhe pyetja ishte cilat ishin ndjenjat e para për lajmin në 1985.

Vetëm dy njerëz u përgjigjën se ishin gëzuar për vdekjen e diktatorit, ndërsa 98 për qind thanë se ishin trishtuar dhe kishin qarë, si dhe se kishin frikë për të ardhmen e tyre.

Ky skenar ishte i njëjtë me atë pas vdekjes së Stalinit.

Pra Hoxha ishte një njeri aq i adhuruar nga disa segmente të popullatës sa që Ramiz Alia urdhëroi se data e vdekjes së Hoxhës të mos vihej në varrin e tij sipas parimit që “një njeri i tillë nuk mund të vdesë kurrë”.

Konsensusi i përgjithshëm ishte se Shqipëria kishte shumë probleme në vitin 1985 por shumë pak njerëz bënin përgjegjës Hoxhën për to.

Hoxha konsiderohej si një njeri i ndershëm që kishte prioritet interesat e Shqipërisë ndërsa për problemet ishin përgjegjës drejtuesit rajonalë të partisë.

Shumë besonin se pas vdekjes së tij do të vinin menjëherë ndryshime, por shumica e popullsisë ishte e re dhe njerëzit nuk kishin njohur udhëheqës tjetër përveç Hoxhës.

Rivalët e Hoxhës

Ndërsa njerëzit që kishin vuajtur nga dora e Hoxhës siç mund të kuptohet ishin të lumtur për lajmin e vdekjes së tij, por ishin të kujdesshëm që të tjerët të mos kuptonin ndjenjat e tyre.

Në një intervistë të kryer më 4 prill 1994, Natasha dhe Sonia Beribashi, një familje që më parë ka jetuar në ekzil jashtë shtetit, tregojnë për diskriminimin e treguar ndaj tyre pas spastrimit të babait të tyre nga radhët e partisë.

Babai i tyre Foni Qirko ishte dërguar në Skrapar në 1956 dhe në 1974 vëllai i tyre 22 vjeçar Artan Qirko tentoi të arratisej por u kap dhe u dënua me 25 vjet burg.

Prej kësaj njolle në biografi Natazha u dërgua në një fshat të largët ku nuk mund të ishte më mësuese matematike por punonte në një punishte.

Shumë shqiptarë mendojnë se Hoxha ishte një tiran dhe tani janë të lumtur që gëzojnë më shumë liri personale nga më parë.

Por gjithsesi janë krenarë për të sepse ishte tirani “i tyre”, në një skenar që gjithashtu është i ngjashëm me Stalinin.

Për të analizuar nëse Hoxha ishte vërtet tiran, një pikë e mirë nisjeje është libri i Aristotelit “Politika” ku ai diskuton qëllimet dhe karakteristikat e një tirani.

Autori thotë se tre qëllimet kryesore të tiranit janë turpërimi i subjekteve të tij dhe bindja se një njeri i keq nuk do të komplotojë kundër asnjeri.

Ai tenton të krijojë mosbesim mes të tjerëve pasi tirani mund të përmbyset vetëm kur njerëzit nisin të kenë besim te njëri-tjetri.

Kjo është arsyeja që tiranët e luftojnë të mirën dhe janë të fiksuar me idenë se ajo kërcënon pushtetin e tyre.

Tirani dëshiron që subjektet e tij të jenë të paaftë për veprim, në mënyrë që të mos tentojnë përmbysjen e pushtetit.

Sipas këtyre pikave, e gjithë politika e tiranit përmblidhet në mbjelljen e mosbesimit mes aleatëve, heqja e pushteteve të tyre dhe turpërimi i tyre.

Aristoteli thekson gjithashtu karakteristika të tjera si kontrolli i rreptë mbi aktivitetet e vartësve të tij, përdorimi i spiunëve.

Gjithashtu tirani i varfëron subjektet për të financuar mbrojtjen e tij.

Muharrem Xhafa, biznesmen dhe ish-burokrat i Enver Hoxhës, thotë se ishte i shokuar nga injoranca e zyrtarëve në ministri të ndryshme: “Zyrtarët mbanin vendet e tyre të punës vetëm prej besnikërisë dhe servilizmit ndaj Enver Hoxhës”.

Sigurimi kishte shumë pushtet gjatë epokës së Enver Hoxhës dhe sipas Anton Logorecit, detyra e tij ishte eliminimi i çdo forme opozicioni ndaj pushtetit.

Ai llogarit se ka pasur rreth 13 000 oficerë me uniformë të Sigurimit, përveç shumë agjentëve të fshehtë dhe informatorëve.

Efekti i sigurimit te popullata përshkruhet dhe nga autori suedez Bjorn Hallstrom që ka vizituar Shqipërinë dhe tregon se njerëzit largoheshin prej tij me frikë pasi nuk dëshironin të shiheshin që flisnin me një të huaj.

Dhe në fakt nuk ka dyshim se Partia e Punës kontrollonte çdo aspekt të jetës së shqiptarëve, dhe as nuk tentonte ta fshihte këtë.

Hoxha mbështeti publikisht këtë qasje në fjalimin e plenumit të 11 në 1963, duke thënë: “Udhëheqja e partisë di çdo gjë për jetën e njerëzve, prandaj e di që nuk janë të gjithë flori të pastër. Ka njerëz me ide të gabuara, ashtu siç ka dhe njerëz të disiplinuar. Të besueshëm punëtorë, intrigantë, frikacakë e të tjerë. Marrim rastin e Anastas Lulo (komunist i denoncuar më pas nga Hoxha) Partia punoi shumë me të por kur e pa që ai dhe shokët e tij po bëheshin të rrezikshëm, i shtypi. Por gjithsesi si rezultat i punës së partisë shumë njerëz janë zbutur dhe korrektuar”. /sotnews.al/