Administrata Tatimore e Kosovës ka tejkaluar planin e mbledhjes së të hyrave të rregullta. Sipas raportit, ATK ka inkasuar 6 përqind (%) më shumë se sa që është paraparë.
Në një përgjigje për “Indeksonline” zëdhënësja e këtij institucioni financiar, Valentina Bytyqi – Sefa ka treguar se sa ka mbledhur të hyra ATK-ja për periudhën katër muajsh.
Sipas saj, vetëm për muajt Janar – 27 Prill 2018 nga të hyrat e rregullta ATK ka mbledhur 163 milion euro.
Me këtë rast, ajo thotë se nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar atëherë ka rritje për 20.1 milion euro apo 14 %.
Ndërsa, Bytyqi ka theksuar se në raport me planin janë mbledhur 9.4 milion euro apo 6 % më shumë se sa plani i paraparë.
“Mund të ju konfirmojmë se përformanca e të hyrave vazhdimisht është duke u rritur, duke marr parasysh përkushtimin e menaxhmentiti të ATK-së në zbatimin e strategjisë së përmbushjes, si dhe planeve operative të hartuara për këtë vit”, është shprehur Bytyqi- Sefa për “Indeksonline”.
Tutje, zyrtarja e ATK-së konsideron se përmbushja vullnetare është në nivel të kënaqeshëm-marr parasysh edhe vizitat ne teren të cilat realizohen.
Sipas saj, këto nuk kanë karakter vetëm përmbushës por edhe edukative ( edukimi i tatimpaguesve në kryerjen me kohë të obligimeve tatimore, në mënyrë që mos të bëhen preh e ndëshkimeve administrative).