Ndërkohë, Lista Serbe vazhdimisht deklarohet se nuk do ta lejojë krjimin e Ushtrisë së Kosovës pasi sipas tyre mund të destabilizohet vendi dhe rajoni.
Skender Preteshi nga Qendra Kosovare për Studime dhe Siguri, thotë se tani për tani është e pamundur ndryshimi i mandatit të FSK-së.
“Është e vështirë dhe e pamundur në momentumin aktual që FSK të ndryshoj mandatin e saj dhe të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, shkaku i hezitimit të deputetëve të Listës Serbe për të votuar në favor të këtij ndryshimi. Lista Serbe nuk e sheh si prioritet themelimin e Forcave të Armatosura, sepse një gjë e tillë nuk është e pranueshme nga Serbia. Serbia në strategjinë e re të mbrojtjes së saj, e ka paraparë themelimin e Ushtrisë së Kosovës si rrezik të saj direkt, dhe ka kërcënuar serbët e Kosovës të cilët e mbështesin këtë proces. Ky argument i Serbisë nuk qëndron sepse Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë forca kryesisht të karakterit defanziv dhe nën frymën e bashkëpunimit me të gjitha shtetet e rajonit”, ka thënë Preteshi për lajmi.net.
Ai ka theksuar se Qeveria dhe Kuvendi duhet të zbatojnë një plan të dytë dhe ta bëjnë ndryshimin nëpërmjetë ligjit aktual të FSK-së.
“Pra kërkohet një unitet politik i faktorit politik shqiptar që të përfundohet ky proces. Edhe nëse ky proces mund të kundërshtohet nga NATO apo BE, Qeveria e Kosovës duhet gjithsesi të bëjë ndryshimin e ligjit aktual të FSK-së dhe të krijoj Ushtrinë e Kosovës. Krijimi i Ushtrisë së Kosovës është e drejtë e brendshme e Kosovës dhe nuk duhet të ketë hezitim për përfundimin e këtij procesi”.
Sipas Preteshit, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës ka një mbështetje edhe tek qytetarët serbë të Kosovës, të cilët kanë shfaqë një interesim të madh për të qenë pjesë e FSK-së, si dhe në të ardhmen të Forcave të Armatosura të Kosovës.
“Kjo shihet edhe me faktin që ka një rritje të lartë të numrit të pjesëtarëve të FSK-së nga komuniteti serb, sidomos të atyre prej Veriut të Kosovës”, ka përfunduar Preteshi.
Sot drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq iu ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e Ushtrisë së Kosovës duke thënë se në bazë të ligjit penal të Serbisë pjesëmarrja në formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri në dhjetë vjet burg.