Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka nderuar martirët e masakruar nëntëmbëdhjetë vjet më parë në fshatrat Poklek dhe Çikatovë në Komunën e Drenasit.
Në masakrën që kryen forcat paramilitare serbe në Poklek, u vranë 54 anëtarë të familjeve Muqolli dhe Elshani, shumica prej të cilëve ishin gra, fëmijë e pleq.
Ndërsa në Çikatovë, po të njëjtën ditë, forcat serbe masakruan 24 qytetarë, po ashtu gra fëmijë e pleq.
“Në Poklek dhe Çikatovë, për t’i nderuar martirët e luftës sonë për liri dhe pavarësi. Vrasja e këtyre qytetarëve, shumica prej të cilëve gra, fëmijë e pleq, dëshmon për një nga krimet më çnjerëzore të Serbisë në Kosovë dhe për sakrificën e madhe të popullit tonë për liri. Lavdi e përjetshme për të gjithë të rënët e lirisë”, ka shkruar Kryeparlamentari Veseli në faqen e tij në Facebook, pas vizitës që u ka bërë varrezave të këtyre të vrarëve.