Ai është shprehur se Kosova do të lëvizë përpara edhe me themelimin e Asociacionit për Komunat me shumicë Serbe.
“Kosova ka ecur përpara dhe me këtë është dëshmuar edhe me vendimin e kryeministri Haradinaj për të ecur përpara për Asociacionin, ndërsa Serbisë i kanë mbetur edhe dy çështje që nuk i ka përmbushur ajo për urën dhe ajo për energjinë. Nuk ka dilema, ky është vit i vizave për Kosovën”, deklaroi ai.
I pari i vendit vlerësoi se Asociacioni do të themelohet në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij ky Asociacion mbetet në kompetencat e ekspertëve. “Është një proces i përbashkët dhe ky do të ketë sukses”, tha ai.
Për arrestimin e Marko Gjuriqit, i pari i vendit tha se nuk prishen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. “Ai e ka shkelur ligjin e Kosovës, ai ka marrë atë që e ka merituar. Edhe Serbia e ka kuptuar se Kosova është shtet”, tha ai.
Ndërsa për arrestimin dhe deportimin e gjashtë qytetarëve turq nga Kosova që ngjalli shumë reagime, i pari i vendit vlerësoi se Kosova dhe Turqia kanë raporte shumë të mira e korrekte. “Turqia është një prej vendeve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ka dhënë shumë ndihmë në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke lobuar për këtë. Kosova është në proces të integrimit në UNESCO dhe INTERPOL. Ajo do të ndihmojë. Arrestimi i gjashtë qytetarëve duhet të shikohet si rast i izoluar. Kosova ka deportuar mbi 300 qytetarë dhe duhet të shikohen të gjitha hallkat”, tha ai.
Sipas tij ish ministri Flamur Sefaj dhe ish shefi i AKI-së kanë bërë punë të mirë për vendin.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur edhe për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Edhe Spanja nuk është kundër Kosovës, por ka probleme të brendshme. Kosova nuk është Kataloni. Ajo ka qenë pjesëmarrëse kundër Serbisë, edhe pjesë në NATO. Është në autoritetin e tyre autonom. Kjo vlen edhe për Greqinë, Sllovakinë e Qipron. Unë pres që Athina në një të ardhme të afërt të merr vendim të njeh Kosovën”, tha ai.
Thaçi vlerësoi se institucionet e Kosovës po funksionojnë mirë.