“Muajve te fundit, gjatë ndarjes së ashpër dhe të ndyrë të LVV-së në dy grupe, u provua qartë se edhe kjo lëvizje kishte një “shik” të vogël të tyre, e që ndonjëherë kishte vepruar edhe në “treshe”, ngjashmëri kjo, së paku numerike, me “treshet” e dikurshme të LPK-së”, thuhet në reagimin e Gecajt.
Reagimi i plotë i Bajram Gecajt:
CILIN HALL E KA LVV?
“Albulena Haxhiu godet LDK-në: S’po guxoni me e hetu SHIK-un”, ishte një titull në portale!
Akuzë kjo e cila tingëllon më shumë si qërim hesapesh në mes adoleshentëve, e jo si ndonjë konstatim serioz i një subjekti të pjekur politik. Nuk diskutohet në këtë çështje guximi apo jo, por rezultati që do të mund të nxirrte një veprim i tillë!
Insistimi kaq i madh dhe për një kohë kaq të gjatë i LVV-së për këtë çështje krijon dyshime serioze për qëllimet e vërteta mbrapa kësaj iniciative! Mos po flasim këtu për “argatë” të tyre që për qëllim përfundimtar dhe të vetëm kanë mu legjitimimin e SHIK-ut! Kjo, pasi që një komisioni i tillë hetues parlamentar nuk do të kishte as për së afërmi kapacitetet dhe ekspertizën e nevojshme për një hetim aq shumë kompleks dhe aq të vështirë si ky. Kjo tanimë është provuar të jetë punë e vështirë dhe komplekse madje edhe për institucionet e thirrura mu për këtë gjë, duke përfshirë këtu edhe drejtësinë ndërkombëtare në Kosovë.
Muajve te fundit, gjatë ndarjes së ashpër dhe të ndyrë të LVV-së në dy grupe, u provua qartë se edhe kjo lëvizje kishte një “shik” të vogël të tyre, e që ndonjëherë kishte vepruar edhe në “treshe”, ngjashmëri kjo, së paku numerike, me “treshet” e dikurshme të LPK-së.
Si përfundim i kësaj “telenovele” nxirret dyshimi serioz se ndoshta “shik-u” i vogël i LVV-së po i ndihmon vëllait të tyre të madh, SHIK-ut të PDK-së, që një herë e përgjithmonë të “shpërlajë” të kaluarën e tyre kriminale, tashmë të provuar edhe me vendime gjyqësore, dhe për këtë të na rrinë mbi kokë sa herë t’ua përmendim!