Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) dje bëri të ditur për opinionin publik konkursin për Drejtorin menaxhues të kësaj korporate, të cilën pozitë qe disa vite e ka udhëhequr, Arben Gjukaj.
“Indeksonline” mëson se përveç pozitës së drejtorit menaxhues të kësaj korporate, po ashtu është shpallur konkurs nga Bordi i KEK-ut edhe për disa pozita tjera të rëndësishme.
Këto pozita janë për:
1: Drejtor menaxhues të KEK-ut
2:Sekretar të Korporates Energjetike të Kosovës (KEK)
3:Drejtor i Financave
4:Drejtor i Auditimit të Brendshëm.
Vlen të theksojmë se konkursi për këto pozita do të qëndrojë i hapur deri më 20 prill, 2018.
Kujtojmë se KEK-u është përballur vazhdimisht me probleme të ndryshme, si me mungesë të furnizimit me energji elektrike, defekte të shumta, rënie të blloqeve nga prodhimi i energjisë elektrike, me protestat të punëtorëve për shkak të kushteve të vështira dhe të rrezikshme në punë, me protesta të banorëve të Hadës, Sibovcit e Shipitullës për shkak të mos shpronësimit të pronave të tyre, deri të rastet fatale, aksidentet tragjike që kanë marrë jetën e disa punëtorëve.
Lidhur me këto ngjarje, për ta mbajtur në këmbë prodhuesin kryesorë të energjisë elektrike në Kosovë, qeveria e vendit dhe donatorë, kanë investuar qindra milionë euro, porse gjendja nën menaxhimin e Gjukajt ka mbetur e pa ndryshuar.
Përkundër të gjitha problemeve, përformancës së dobët nga Gjukaj dhe akuzave për keqmenaxhim, ky i fundit nuk është shkarkuar.
Ndryshe, në njoftimin e KEK-ut thuhet se kjo kompani aktualisht realizon të hyra vjetore prej rreth 150 milionë €.
Korporata Energjike e Kosovës është ndërmarrje publike dhe në strukturën e saj përfshihen minierat e thëngjillit, njësitë gjeneruese të termocentraleve Kosova A dhe B, financat dhe kontabilitetin, shërbimet e korporatës dhe auditimin e brendshëm.
Për më shumë informacione rreth aplikimit për këto pozita drejtuese në KEK mund të informoheni edhe në ueb faqen zyrtare të Korporates Energjetike të Kosovës.