Shkruan: Milaim Ahmeti
Sot, me 5 Prill 2018 bëhen 19 vjet nga masakra që ndodhi në fshatin tim Rezallë, të Komunës së Skenderajt, që u masakruan 98-të Shqiptarë nga ta pleq, gra e fëmijë prej të cilëve sot e kësaj dite ende nuk dihet për fatin trupave te tyre.
Kjo është vetëm njëra ndër masakrat e shumta që janë bërë në Kosovë nga policia, ushtria dhe paramilitarët serb, te udhëhequra nga regjimi i Sllobodan Millosheviq në krye me Lubisha Dikoviç i cili edhe sot e kësaj dite është i lirë dhe mban poste te larta ushtarake në Serbi.
Masakra e Rezallës është një fakt qe nuk mund të mohohet që është kryer nga ushtria, policia dhe paramilitarët serb, për këtë ka dëshmitarë të gjallë që kanë shpëtuar nga kjo masakër por edhe dëshmi tjera që tregojnë ngjarjen dhe zhdukjen e trupave, ku përmes një video incizimi të kohës së luftës flet Komandanti dhe Dëshmori Malush Ahmeti, ku këto forca mundoheshin ti fshihnin gjurmët e këtij gjenocidi serb.
Rezalla nuk do të ndalet asnjëherë se kërkuari zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe dënimin e atyre që kryen këtë masakër, sepse ata përveç jetës morën edhe trupat, por lirinë nuk mundën të na ndalin e as nuk mund të na marrin sepse gjaku i këtyre të rënëve është vetë liria dhe nuk do të lejojmë të shkelet mbi gjakun e tyre.
Masakra e Rezallës tregon qartë se kush ka bërë krime lufte dhe për kënd duhet themeluar Gjykata Speciale, e cila padrejtësisht dhe njëanshëm u krijuar me mandat për ti gjykuar vetëm krimet e pretenduara nga pjesëtarët e UÇK-së të cilat as që mund të imagjinohen që kanë ndodhur e leje më të jenë të vërteta dhe duke amnistuar kryerësit e vërtet të krimeve të bëra.
Institucionet e Republikës së Kosovës duhet që të mos ndalen në kërkesën e tyre për ti ndjek kriminelet e vërtet që kanë bërë krime lufte në gjithë Kosovën e jo të lejojnë që me prova te fabrikuara të gjykohen luftëtarët e lirisë, por ta ngritin fuqishëm zërin e së vërtetës, e jo sot ende padrejtësisht te keqtrajtohen nga ndjekjet dhe burgosjet figurat më të ndritura të UÇK-ës.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri që ne sot po e gëzojmë!