Nënkryetari i AKR’së Agim Bahtiri ka komentuar dorëheqjen e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Thotë se Sefaj kishte menduar se kryeministri dhe Presidenti ishin njoftuar nga AKI për operacionin.
“Ndodhi pa dijen e ministrit tonë. Iniciativa nuk ka qenë nga Ministri jonë, ka qenë nga AKI’ja. AKI’ja nuk e ka njoftuar kryeministrin e vendit dhe Ministri jonë ka menduar se AKI’ja e ka lajmëruar kryeministrin dhe kryetarin e shtetit’, tha Bahtiri për Klan Kosovën.
“Kemi pasur një ministër të shkëlqyeshëm, që ka ardhur nga jashtë, ka qenë i përgjegjshëm që ka dhënë kontribut të veçantë sidomos në pjesën e veriut”, tha Bahtiri.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës thotë se AKR nuk ka menduar kurrë daljen nga koalicioni qeverisës.
Thotë se deklarata si ajo e Sekretarit Organizativ të partisë, Rrahim Pacolli, se me shkarkimin e Sefajt AKR lë qeverinë, u dhanë nga njerëz jo kompetent.
“Absolut nga nuk ka pasur vendim të AKR’së për largim nga koalicioni. Ata që kanë thënë nuk janë legjitim të AKR’së”, tha Bahtiri.
“Ne çdoherë kemi qenë bashkëpunues dhe i kemi çuar proceset në të mirë të qytetarëve. Dhe nuk kemi dashur asnjëherë të bllokojmë qeverinë e Republikës së Kosovës dhe kështu kemi marrë edhe këtë hap’, theksoi ai.