Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është deklaruar me gjithë zhvillimet e ditës së djeshme si dhe lajmin e fundit për largimin e Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës.
Thaçi ka deklaruar se pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë që të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe OSBE-në për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi i Serbisë, shkruan Indeksonline.
Thaçi ka shtuar gjithashtu se zhvillimet e djeshme janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe ndërtimin e paqes në Kosovë.
Thaçi ka theksuar se Policia ka treguar profesionalizëm dhe se Kosova mbetet e përkushtuar në rend dhe ligj.
Poashtu ky i fundit ka theksuar se ka biseduar sërish me përfaqësuesen e BE-së, Federica Mogherini.
Deklaratë për media e Presidentit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, 27 mars 2018
Pikërisht në ditën kur institucionet e Kosovës filluan punën për krijimin e Grupit Punues të gjerë institucional, që do të bashkëpunojë me Ekipin Menaxhues dhe me Misionin e OSBE-së në Kosovë për draftimin e Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndodhi provokimi nga shteti i Serbisë.
Këtë e konfirmon edhe vendimi i sotëm për daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës.
Zhvillimet e së hënës, më 26 mars 2018, janë në kundërshtim me angazhimet për dialog dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në Kosovë, si dhe cenim i përpjekjeve për normalizim të raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë.
Bëj ftesë që të respektohet dhe të ruhet fryma e dialogut në mes Kosovës e Serbisë dhe të mbesim të fokusuar në normalizimin e marrëdhënieve, në ndërtimin e fqinjësisë së mirë dhe pajtim.
Sot bisedova përsëri me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, me të cilën edhe një herë u pajtuam për nevojën e uljes së tensioneve, sepse dialogu nuk ka alternativë dhe të gjithë duhet të fokusohemi në rrugën përpara. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së më njoftoi se sot do të udhëtojë në Beograd për të takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’ia bartur edhe atij mesazhin e njëjtë se dialogu dhe pajtimi janë e vetmja rrugë përpara.
Kosova mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit në tërë territorin e saj dhe do të kërkojë gjithmonë që të gjithë t’i respektojnë ligjet e Kosovës.
Më vjen keq që ngjarjet e djeshme kanë trazuar paqen dhe kanë shqetësuar të gjitha komunitetet e Kosovës, por i ftoj të gjithë që ta ruajnë arsyen.
Derisa policia ka treguar profesionalizëm në punën e saj, e përshëndes edhe reagimin e institucioneve të shtetit, veçanërisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Kosovës që kanë reaguar me kohë, si dhe gatishmërinë e tyre që të shqyrtojnë dhe të vlerësojnë me profesionalizëm dhe përgjegjësi të lartë të gjitha zhvillimet e ditës së hënë, 26 mars 2018, të lidhura me hyrjen ilegale të Marko Gjuriqit në Kosovë.