Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e “Grupit të Pavarur i Deputetëve”, Visar Ymeri ka reaguar për arrestimin e djeshëm të Marko Gjuriqit, në veri të Kosovës.
Përmes në postimi në Facebook, ai ka thënë se Grupi i Pavarur i Deputetëve vlerëson punën e Policisë së Kosovës dhe vendosmërinë e tyre në këtë ndërhyrje.
Ky është postimi i tij:
Arrestimi i djeshëm i Marko Gjuriqit ishte i drejtë dhe në përputhje me ligjin. Natyrisht që në Kosovë, sikur në çdo shtet tjetër, duhet të zbatohen masa me të cilat sigurohet integriteti i kufijve dhe territorit. Policia e Republikës së Kosovës dje ishte në nivel të detyrës.
Megjithatë shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës nuk është çështje aktesh sporadike, por e organizimit serioz e të vendosur shtetëror. Aq më pak është çështje e akteve të mediatizuara.
Përkundër kësaj Grupi i Pavarur i Deputetëve vlerëson punën e Policisë së Kosovës dhe vendosmërinë e tyre në këtë ndërhyrje.
Është pikërisht dimenzioni politik i këtij rasti ai që ngrenë shumë pikëpyetje. Arrestimi koincidoi të ndodh në ditën e njëjtë kur Presidenti Thaçi, pas takimeve me Vuçiqin, herë të fshehta e herë publike, e inicoi procedurën e ringjalljes së Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe. Dhe ky aksion policor, gjithnjë duke e kujtuar atë të korrikut të vitit 2011, më shumë se avancimit të sovranitetit i ngjanë parapërgatitjes për negociata. Në këtë drejtim, në vend se të funksionalizohet Republika e Kosovës, rrezikojmë ta funksionalizojmë dialogun e Thaçit, i cili, sikur në të kaluarën, e rrezikon Republikën.
Grupi i Deputetëve të Pavarur kërkon që të ndalet përfundimisht avansimi i ndarjes së brendshme në vija etnike, që ka qenë dhe mbetet temë e secilës valë të negociatave. Tash e dhjetë vjet pavarësi, u dëshmua që këta mekanizma institucional (me predikate etnike) nuk sjellin integrim, por vetëm thellim të ndarjes. Ndarja e brendshme mund të shndërrohet në ndarje formale të Republikës së Kosovës.
GDP është i përkushtuar në avancimin e sovranitetit të Republikës dhe karakterit unitar të saj. Republika e Kosovës duhet të jetë Republikë e qytetarëve, të barabartë, bashkëjetues e bashkëpunues.