Refuzimi i Shqipërisë nga Edon Zhegrova bëri që trajneri Panuçi të shpërthente në konferencën për shtyp gjatë së hënës në ambientet e FSHFsë, mirëpo, kjo deklaratë dhënë përpara mediave në transmetim direkt, është përcjellë me shqetësim në kampin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Sekretari i Përgjithshëm, Eroll Salihu, i tërheq vë- mendjen trajnerit kuqezi për të mos përsëritur të tillë rast, si dhe për t’i treguar që Kosova tashmë është realitet i ri, mbështetur edhe nga statuti dhe rregulloret e FIFA-s.
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Kristian Panuçi, iu drejtua në konferencë direkte përpara mediave Zhegrovës se “nuk ka b…”, pasi ka zgjedhur Kosovën, kurse Salihu mendon ndryshe:
“Së pari, më duhet të them se ai është i ri për të kuptuar se si janë raportet e reja që janë krijuar. Ai nuk e di që futbolli në Kosovë është sipas rregulloreve të UEFA-s e FIFA-s. Madje, ne e kemi fituar me gjak këtë të drejtë për të qenë pjesë e këtyre organizmave, së bashku me FSHF-në, me të cilën kemi raporte të shkëlqyera. Në të shkuarën, lojtarët tanë, që kanë luajtur me Shqipërinë, kanë dhënë më të mirën dhe kanë pasur detyrimin moral dhe kombëtar. Tashmë, për asnjë lojtar të Kosovës nuk mund të pretendohet që do më shumë Shqipërinë sesa Kosovën. Tani është detyrim kombëtar. Kosova tashmë është një realitet i ri.
Shqipëria e ka rrugën e vet. Gjithashtu, zoti Panuçi duhet të kuptojë se lojtari ka lindur në Kosovë, çfarë lidhje ka me Kosovën, e për pasojë duhet të kontribuojë për Kosovën. Në aspektin e Kombëtares, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë përpos faktit që të dyja kanë marrëdhënie shumë të mira. Sa i përket zgjedhjes së Kombëtares, ekipit me të cilin do të luajë, në bazë edhe të rregulloreve dhe statutit të FIFA-s nuk e lidh asgjë me Shqipërinë. Unë i sugjeroj Panuçit që të mos dalë nga kornizat dhe detyrat e veta që ka. I them edhe një herë që është shumë i ri për të kuptuar raportet që janë krijuar”, ka thënë Eroll Salihu.
Zhegrova debutoi me Kosovën, dhe shënoi golin e fitores në miqësoren e luajtur në Francë, kundër Madagaskarit.