21 marsi i 2018-ës do të mbahet mend nga kosovarët. Për shumicën si një datë e rëndësishme kur u vendos për shpërthimin e izolimit, ndërsa për një pakicë politike si një moment kur Kosova i fali tokë Malit të Zi. Por, kush i dha zgjidhje dhe u bë vota e 80-të për procesin që i liron kosovarët nga getoja.
Adem Hodza ditëve të fundit ka qenë njeriu më i kërkuar në Kosovë. Më së shumti e kanë lypur politikanët për shkak të votës së tij vendimtare, por edhe gazetarët. Por, ai u ka ikur me sukses telefonatave nga mediet, ndërkohë që në telefonin e tij është paraqitur bashkëshortja, duke dhënë përgjigje jo fort të besueshme. “Ademi është në Kuvend, nuk i merr telefonat me veti kur ka seanca”.
Por, kolegët e tij politikanë ishin më të suksesshëm në “kapjen” e Ademit.
Hodza është anëtar i partisë së goranëve (JGP), por që në Kuvend është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.
Express kishte mësuar se Hodza ishte pajtuar që ta votojë Marrëveshjen me Malin e Zi, pas një takimi që e kishte zhvilluar më parë me nënkryetarin e AAK-së, Pal Lekajn, njëherësh edhe ministër i Infrastrukturës.
Madje, kjo ishte fuqizuar edhe më shumë nga fotografitë e publikuara në llogarinë e Pal Lekajt në rrjetin social Facebook.
Hodza u bë faktor kyç, që një ngërç politik në vend, i krijuar tre vjet më parë, të zgjidhet në orët e mbrëmjes së të mërkurës, përfundimisht.
Prania e Adem Hodzës në seancën e djeshme kishte frustruar Lëvizjen Vetëvendosje.
Madje, paniku që u krijua aty me të hyrë Hodza në sallë, bëri që partia e Albin Kurtit të mos heq dorë nga praktikat e mëparshme. Kuvendi u mbush sërish me gaz lotsjellës nga tre deputetë të Vetëvendosjes, kur kuptuan se tashmë koalicioni sigurt i kishte votat, pas pranisë së deputetit goran.
Vetëvendosja gjuante gaz në drejtim edhe të deputetëve të LDK-së. Raportohej se kjo bëhej qëllimshëm, duke marrë parasysh gjendjen shëndetësore të Ramiz Kelmendit dhe dyshimet e këtij të fundit për ta votuar ose jo marrëveshjen. Megjithëse, Kelmendi edhe pse paralajmëroi se familja e tij po kërcënohej nëse ai e voton Marrëveshjen, në seancën e djeshme konfirmoi se edhe vota e tij do të ishte pro ratifikimit.
Katër herë radhazi u pengua votimi për Demarkacionin me Malin e Zi, derisa përfundimisht Kryesia e Kuvendit vendosi që t’i përjashtojë nga salla deputetët që e përdoren gazin si mjet për ta penguar votimin.
Kësisoj, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e kufirit Kosovë – Mali i Zi, i cili i hap rrugë liberalizimit të vizave, që kosovarët të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen.
Me këtë votim përfituesit më të mëdhenj janë kosovarët të cilët besohet se pas disa muajsh më nuk do të presin para ambasadave. Natyrisht një përfitues tjetër është edhe ai që e dha votën e tij, pra Adem Hodza. /Express/