Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica gjatë seancës së sotme të Kuvendit tha se dikasteri që ai drejton është duke punuar intensivisht sa i përket reformës së sistemit pensional, duke paralajmëruar një ligj gjithëpërfshirës për të gjitha skemat pensionale.
Këto komente ministri i bëri pasi u pyet rreth kontributdhënësve që nuk po arrijnë t’i gëzojnë pensionet sepse nuk i kanë 15 vite të plota përvojë punë para lufte, disa nga të cilët nuk po mund të përfitojnë pensionet për shkak që këtë kusht nuk po e plotësojnë për disa muaj apo ditë.
“Si MPMS ne po zbatojmë një ligj që rregullon skemat pensionale të financuara nga shteti. Ky Kuvend në vitin 2014 ka pasur mundësi këtë padrejtësi ta përmirësoj, por një gjë e tillë nuk është bërë. Ne e kemi trashëguar këtë situatë dhe me të marrë mandatin, kemi ardhur në konkludim se vendit i duhet reformë pensionale. Kemi formuar grupin punues dhe tashmë ky grup ka mbajtur disa takime dhe kemi filluar të nxjerrim ide dhe analiza në tavolinë se si do të ja bëjmë me reformën e sistemit pensional. Ne jemi duke punuar në këtë drejtim”, tha Reçica.
Ministri tha se reforma po bëhet edhe për hir të rrethanave të kaluara dhe njohjes së kontributit të atyre qytetarëve të cilët pa dëshirën e tyre kanë qenë pjesë e largimeve nga puna dhe nuk kanë mundur që për një periudhë të shkurtër të kenë 15 vite kontribute të paguara ose sigurim pensional, duke shtuar tutje se ky prag do të rivlerësohet.